Prozë

Alma Lamçja : “Në skajet e një dekade”

Joni kishte pak ditë që kishte ndryshuar vendin e tij të punës. Sapo fillonte t’i bëhej jeta monotone dhe të ishte në dilema zgjedhjeje, aplikonte diku tjetër dhe  duke iu falënderuar shkollimit të duhur dhe CV-së së pasur, pranohej menjëherë.

Kishte punuar për shumë kompani dhe organizata të mëdha ndërkombëtare, përfshi edhe Bankën Botërore dhe Komisionin Evropian. Ishte hera e parë që kishte vendosur të punonte në një korporatë vendore dhe e kishte marrë si sfidë këtë punë, duke pasur parasysh faktin që e kishte shumë problem të përshtatej me mentalitetin vendas, edhe pse i përkiste atij komuniteti.

Të gjitha nivelet e shkollimit i kishte kryer jashtë vendlindjes dhe kjo gjë nuk i jepte komoditetin që të përcaktohej se cilës kulturë i përkiste. A ishte anglez si vendi që e rriti dhe e shkolloi, apo ishte shqiptar, referuar prejardhjes dhe nacionalitetit që i përkiste?

Kishte kohë që ishte mes kaq shumë dilemash rreth identitetit dhe të ardhmes së tij, sa shpeshherë përhumbej në mendime dhe nuk arrinte të bënte i qetë asnjë sy gjumë. Nga njëra anë lidhja e tij me të ëmën e kishte bërë më të prekshëm dhe më të ndjeshëm në vendimet që merrte. Që prej momentit kur e ëma u diagnostifikua me kancer ai ishte në gjendje t’i bindej çdo fjale dhe teke të saj. Kishte kohë që nuk jetonin bashkë sepse prindërit dhe dy vëllezërit jetonin në Londër, ndërsa ai s’mbahej mend sa kohë kishte që endej midis Uashingtonit, Brukselit dhe së fundmi ishte stacionuar në vendlindjen e tij në Prishtinë.

Shpeshherë i dukej sikur asgjë se lidhte me vendlindjen, sepse që në moshën pesë vjeçare ishin vendosur në Angli, por insistimi i të ëmës për t’u martuar me një vajzë shqiptare i kishte sjellë kaq shumë dilema rreth të ardhmes sa nuk po mund të gjente dot veten. Lëvizjet e shpeshta në dy kontinente e kishin bërë të njihte vajza të nacionaliteteve të ndryshme që thellë-thellë kishin diçka të përbashkët: secila nga to kishin shkuar me të, vetëm nga shkëndija e simpatisë që kishin ndjerë ose thjesht për një kënaqësi të momentit. Ai i kishte parë gjithmonë si diçka të tillë pa u futur në detaje të këtyre lidhjeve.

Një nga femrat që do të mbetej përherë në kujtesën e tij ishte zeshkania indiane me sy magjik Farishta,  që ashtu sikurse kishte emrin ishte edhe vet një engjëll i vërtetë. Farishta i përkiste fisit hindu dhe të vetmen kërkesë një parashtroi ndaj tij ishte që mos ta prekte nga çështja e besimit. Ai e respektoi dëshirën e saj për sa kohë ishin bashkë, edhe pse nuk do të bëhej kurrë vegjetarian.

Spanjollja Adelita, e cila sikurse ai ishte punonjëse e Bankës Botërore kur u njohën, do e ketë gjithmonë vendin e saj në një qoshe të zemrës së tij. E përkushtuar aq shumë rreth studimeve mbi ekonominë, më saktë mbi financën, kishte harruar që ekziston edhe një anë e jetës, kënaqësia e brendshme e njeriut. Adelita nuk shquhej për ndonjë bukuri të veçantë por Jonin e tërhoqi mungesa e dukshme e feminitetit tek kjo vajzë, prandaj vendosi të shoqërohej me të. Kur arriti të kuptojë se ajo i kish kaluar të njëzetat dhe nuk kishte pasur asnjë marrëdhënie seksuale, e kuptoi pse dukej e tillë. Ai arriti t’i dhuronte një natë të parë të paharrueshme, falë kujdesit të treguar dhe shumë netë pasioni dhe romance. Kur ndodh të shihen ndonjëherë pas kaq vitesh ndarjeje, i ndihet falënderuese për mënyrën se si e kishte trajtuar dhe për zgjimin e anës femërore tek ajo.

Tani, kur e krahason Adelitën me Rinën me të cilën sapo u nda, të duket sikur sheh dy botë të kundërta. Adelita i duket si vajza shqiptare që i ka përshkruar e ëma, ndërsa Rina si një turke e djallëzuar që mundohet të fshihet nën çarçafët mbulues.

Me Rinën u njoh rastësisht në një kafene të qytetit, në kohën kur ai sapo ishte vendosur në qytet dhe lokalet ishin kthyer në dy tabore, në pjesën që pihej duhan dhe në atë që nuk pihej. Ai ishte ulur në pritje të një shoku të fëmijërisë, e si për inerci të fatit (edhe pse nuk beson në të), rrotullonte me gishta çakmakun që sigurisht e kishte harruar dikush në tavolinë. Ishte një hapësirë vetëm rreth një metër që ndante tavolinën e tij me pjesën duhanpirëse. Është ulur dikush duke menduar që edhe këtu pihet duhani – kishte folur me veten duke analizuar mungesën e përgjigjes, për atë çakmak që gjeti mbi tavolinë.

Rina ishte bashkë me një vajzë tjetër (më vonë kuptoi se ishte e motra), e cila iu afrua në tavolinë dhe i kërkoi çakmakun për të ndezur një cigare. Kur bën t’ia kthejë, edhe pse ky i tha që mund ta mbante se nuk pinte duhan, e  pyeti për emrin dhe menjëherë i dërgoi ftesën në instagram.

I gjendur i papërgatitur nga lirshmëria me të cilën iu afrua dhe iu prezantua, ai qeshi lehtë dhe pranoi të ketë edhe një shoqe me shumë në miqësinë e tij virtuale. Iu duk krejt ndryshe nga përshkrimi që nëna i kishte bërë për vajzat që jetonin në vendlindjen e tij dhe kjo i zgjoi kureshtjen.

Ajo filloi “ta gjuante” vazhdimisht derisa vendosën të takohen një pasdite në një tjetër kafiteri të qytetit. Ndoshta mungesa e pranisë së një femre në muajt e fundit e bënë të tërhiqej prej saj por mund të ishte edhe e njohura apo e panjohura që e rrethonte atë vajzë. Kishte diçka misterioze tek ajo që filloi ta tërhiqte çdo ditë e më shumë. Nganjëherë Rina i dukej shumë naive dhe pa vizion, nganjëherë shume e gjallë dhe e djallëzuar, nganjëherë sikur nuk e lidhte asgjë me të.

Përkundër të gjitha këtyre gjendjeve që i shkaktonte dhe mungesës së transparencës së saj, përsëri ai ndjehej mirë me të. Ia fali mashtrimin e parë të madh me kusht që të mos përsëriste më metodat mashtruese. Nëpërmjet skenave fëmijërore dhe naivitetit fals, mundohej t’ia mbushte mendjen që ishte e virgjër, sepse kishte pritur njeriun e duhur dhe ky njeri ishte ai. Fiks pas një muaji pas argumenteve të ofruara nga Joni, ajo e pranoi të kundërtën duke u ankuar për mentalitetin mbytës në këtë vend, ku të gjithë meshkujt duan të shkojnë me femra e në fund për martesë kërkojnë një virgjëreshë.

Jonin asnjëherë se kishte penguar mungesa e virgjërisë tek një femër por mungesa e transparencës dhe e sinqeritetit. Gjithsesi, i lanë pas këto gjera dhe filluan lidhjen normale derisa erdhën përsëri në pikën zero. Atij po i dukej që ajo po e shfrytëzonte financiarisht dhe emocionalisht. Filloi të kishte kërkesa të çuditshme vetëm pse ky kishte mundësinë t’ia plotësonte ose vetëm pse një shoqja e saj kishte blerë diçka që kjo duhet ta kishte patjetër. Situata filloi të dalë nga kontrolli kur Joni i kërkoi të fillonte studimet master në ndonjë universitet Evropian dhe të mendonte seriozisht çdo të bënte me jetën e saj. I ofroi pagesën e plotë të studimeve dhe nëse kishte nevojë edhe ta shoqëronte e ti qëndronte pranë në këtë periudhë, apo për sa kohë që ajo do të kishte nevojë.

Kur e pa se vizioni i saj për jetë nuk shkonte përtej shpenzimit të parave të tij dhe daljes pa kufi me shoqërinë, lidhja e tyre pësoi një çarje të thellë, ku hendeku sa vinte e thellohej.

 

Në fakt edhe punën e re që kishte filluar më tepër e kishte shikuar si një mënyrë ndryshimi të përditshmërisë së tij për të kthjellur mendimet dhe për të ndryshuar situatën në të cilën ndodhej.

Zakonisht, ndryshimi i ambientit të punës ndodhte për shkak të problemit sentimental që mund ta karakterizonte. Gjithmonë kishte pasur sukses në marrjen e vendimeve të tij, kur gjendej në një situatë të re dhe me njerëz të rinj.

 

Krahas dilemave shpirtërore me të cilat po përballej, në ditën e pestë të javës së punës, që përkonte me ditën e tretë të punës së re që sapo kishte filluar, vëmendjen ia tërhoqi një femër që po vinte drejt tij. Ndjeu gjakun damarëve dhe një efekt shpues të përmenjëhershëm në zemër, duke përfshirë edhe reagimet trupore. Nënqeshi me vete nga kjo ndjesi e çuditshme dhe shijoi pamjen derisa u shkëmbyen me njëri-tjetrin.

Teksa e shihte nën ndriçimin errësues të syzeve të diellit, ai u mbush jetë tek shijonte ecejaket e saja epshëndjellëse. Të paktën kështu e kishte personifikuar ai, imazhin e asaj pamjeje që pa atë mëngjes pranvere të vonë.

Dua as që i vërejti vështrimet dhe shkëmbimin me të panjohurin që i kaloi pranë. Ishte futur në botën e saj, nën kumbimin e melodisë së këngës së preferuar që e shoqëronte atë mëngjes të bukur. Ajo kishte një shprehi të çuditshme, dëgjonte çdo lloj muzike që i pëlqente veshit të saj. Dua nuk ishte e fokusuar pas një zhanri të caktuar, mjaftonte që kënga apo melodia të ishte e bukur dhe e këndshme për veshin. Atë javë ishte fiksuar pas këngës “Human” të Rag’n’Bone Man, të cilën e kishte dëgjuar disa herë para se të dilte nga shtëpia dhe ende i kumbonte zëri i plotë i këngëtarit trupëmadh. Kishte pasur një javë të ngarkuar pune dhe priste me padurim ta përmbyllte me sukses edhe ditën e fundit, e t’i dorëzohej tërësisht fundjavës që po vinte.

Kishte kohë që në realitet e mbante vetëm puna të cilën e dëshironte mbi çdo gjë, se përndryshe shpirti i saj endej midis muzikës që adhuronte dhe librave që i lexonte me aq pasion.

Lidhjen e fundit të dashurisë e kishte përmbyllur para rreth dy vitesh dhe nuk ishte në gjendje të fillonte nga e para diçka që kërkonte përkushtim dhe kujdes të shtuar. Ishte lodhur nga dështimet në çështjet e zemrës dhe iu kishte mbushur një mendje se ajo nuk është e aftë të dashurojë.

Nuk i përkiste atij lloji femre ‘desesperado’ nga jeta Dua, por që ishte bindur se nuk dinte të donte njeriun e duhur, nuk kishte dilema. Kështu, ajo e kishte fjetur mendjen nga kjo anë dhe nuk i bënin përshtypje as komplimentet vend e pa vend apo fjalët joshëse që i bënin meshkujt sa herë që iu jepej mundësia.

E njëjta gjë po ndodhte edhe me Jonin.

Pasi kaloi fundjava e gjatë për Jonin por e shkurtër për Duan, ata u shkëmbyen sërish të hënën. Ai ishte përgatitur gjithë fundjavën që do ta përshëndeste dhe do t’i uronte një ditë dhe javë të mbarë, por kur e pa që ajo vazhdonte rrugën e saj me qëndrim mospërfillës, fjalët i ngelën në grykë. Nuk arriti t’i thoshte as mirëmëngjesi.

Filloi të bëhej nervoz me veten se prej momentit që e kishte parë nuk reshte së menduari për të dhe ç’është më e keqja, trupi nuk i bindej. Zonat erogjene i aktivizoheshin sapo e mendonte apo e shihte. Instinktivisht, kafshonte buzën e tij dhe një i nxehtë i kaplonte trupin. Në kaq vite jetë, nuk i kishte ndodhur ndonjëherë të tërhiqej në mënyrë të tillë absurde nga një vajzë. Aq më tepër kur i kishte ende të freskëta zënkat e fundit me Rinën.

Mundohej të bindte veten se gjithçka po i ndodhte ishte për shkak të probleme që sapo kishte lënë pas dhe mungesës së marrëdhënieve seksuale në kohët e fundit. Gjithsesi, u brengos fort me veten që nuk gjeti kurajën t’i fliste por pasi ishte e hënë, mendoi që ka edhe katër ditë përpara për ta bërë një gjë të tillë.

Për dreq të martën nuk e pa.

Të mërkurën e shqoi nga larg siluetën e saj teksa ecte zhdërvjellët veshur me një fustan blu të ngjitur pas trupit. Pamjen shpeshherë ia pengonte një gjatosh që ecte para tij dhe filloi të nervozohej nga frika që s’do të mund t’i fliste, se në këmbim e sipër ai mund ta pengonte prandaj ngadalësoi hapat.

Për çudinë e tij, gjatoshi i doli përpara dhe e ndali në rrugë.

Mirëmëngjesi, jam Vili – iu prezantua ai.

Unë jam Dua – ia ktheu ajo. Po, çfarë kishit?

  • T’kom pa shpesh që kalon këndej pari dhe dojsha me t’ftu për kafe.
  • Pse ti kënd e sheh shpesh e fton për kafe a? – ia ktheu ajo.
  • Jo, por kisha pas dëshirë t’bisedojmë pak bashkë – i tha ai.
  • E çka kishim mujt me bisedu unë e ti? Apo për politikën ditore?
  • Bon me fol edhe për politikën – ia ktheu Vili.
  • Më vjen keq por nuk më pëlqen politika – ia ktheu ajo, duke vazhduar rrugën.

Uh rraspin e nonës – foli ai nëpër dhëmbë.

 

Joni e dëgjoi gati të gjithë bisedën dhe befas u turbullua nga gjithë ai zhvillim i shpejtë i ngjarjeve. Gjatë gjithë ditës u përpoq të mos e çonte mendjen tek Dua. Sapo mendimet drejtoheshin tek ajo, mundohej të merrej me ndonjë punë që e mbante të fokusuar. Donte të bindte veten që ajo s’kishte asnjë rëndësi për të.

Gjithçka ishte e kotë. Me t’u kthyer në shtëpi, mendimi për të ia mori tërë mbrëmjen, duke ia marrë edhe disa orë të gjumit.

Për fat, të nesërmen rruga ishte e qetë pa kalimtarë dhe ai pati fatin ta përshëndeste.

Mirëmëngjesi, Dua.

Më falni, njihemi gjë? Hej pikë e zezë, ç’i ka gjet këta njerëz kështu! – ia ktheu ajo duke iu drejtuar më tepër vetes se atij pa e shikuar fare.

Unë vetëm të përshëndeta – ia ktheu Joni. Nëse të pengon nuk e përsëris më – ia ktheu qetë, sepse e kishte përgatitur veten për ndonjë përgjigje edhe më të vrazhdë.

Ke të drejtë. Më fal për shpërthimin e panevojshëm. I dhuroi një buzëqeshje të lehtë si kërkimfalje për reagimin e pavend që bëri.

Vazhduan në këtë mënyrë vetëm me një “mirëmëngjesi”, deri në fundin e javës tjetër, kur ajo i mungoi për dy javë mëngjeseve të tij.

Jonin e kapi një shqetësim i papërballueshëm, sepse nuk e dinte në ishte larguar nga qyteti, nga shteti apo kishte ndërruar vendbanim. Nuk dinte as ku dhe si ta kërkonte. Ishte përpjekur ta gjente në rrjetet sociale por kishte qindra Dua që i dilnin dhe asnjëra nuk qe ajo.

Nuk mbante mend kur ishte ndjerë në këtë gjendje. As kur u nda me Rinën nuk u brengos kaq shumë. Prandaj, filloi pa pikë vullneti javën e punës duke e ditur që përsëri do të ishte e njëjta gjë. Në këto mendime e sipër, pa kuptuar se nga iu shfaq para syve, pa Duan. I tërë trupi filloi t’i dridhej, zemra t’i rrihte fort dhe i doli përpara, njësoj siç bëri gjatoshi para gati një muaji.

Mirëmëngjesi Dua. I zgjati dorën.

Ajo e hutuar me atë çfarë pa, ia zgjati instinktivisht dorën.

Ai ia kapi me lehtësi me të dyja duar që i dridheshin dhe e puthi ëmbël atë dorë të zgjatur.

Dua shtangu e tëra. Nuk e priti atë pamje të tij, e aq më tepër atë reagim spontan e të pavend. Nuk foli asgjë dhe vazhdoi rrugën e saj.

Edhe ai vazhdoi rrugën e tij, por këmbët si ndjente fare. Ishte bërë i lehtë si pendë me zemrën që ende i rrihte fort…

 

Joni dhe Dua ishin që të dy tek të tridhjetat, vetëm me një ndryshim të vogël: ai në fillim dhe ajo në fund të tyre.

Vinin nga realitete të ndryshme por ndanin të njëjtin ajër, jetë, ndoshta edhe fat.

Nuk u përkisnin atyre tipave të njerëzve që fatin e mendonin si diçka të paracaktuar, por sa herë që merrnin një vendim të rëndësishëm në jetën e tyre, i dyti nënshkrues i vendimit gjithmonë i ndryshonte kahje rrjedhës së ngjarjeve. Ndoshta mund të ishin vetë këta faktorët e ndryshimit të rrjedhave, por ata gjithmonë sipas mënyrës së tyre, ishin përpjekur që t’i bënin gjërat të funksiononin.

Deri më sot nuk ia kishin arritur asnjëri.

Ata ecnin vetëm në rrugën e tyre, deri në momentin kur fati i bëri të shkëmbeheshin kalimthi me njëri-tjetrin.

A thua të jenë bërë bashkë?

Nuk di të them, por kur Dua këmbëngulte që nuk mund të niste një lidhje që ishte e predispozuar të përfundonte ende pa filluar, ai kërkonte arsyen.

Kur e mësoi, nuk u shpreh me fjalët e tij por përdori fjalët e Emmanuel Macron drejtuar Brigitte Auzière: Pavarësisht se çfarë bën ti, unë do të martohem me ty!

Sot Macron është i martuar me Brigitte, është presidenti i Francës dhe luan një rol të rëndësishëm në politikën dhe çështjet globale.

Po Joni?

Joni ende nuk është bërë president, por vazhdon i lumtur përditshmërinë e tij. Për sa kohë nuk jetojnë nën një çati, ai është bërë i varur prej peshqirit të saj. Fle me peshqirin pranë, duke ndjerë aromën e saj deri në takimin e tyre të ardhshëm.

Sa herë që sheh dilema në sytë e Duas, ai i përsërit fjalët e Macronit dhe i jep kohë derisa ajo të bindet plotësisht për zgjedhjen e saj.

Ndoshta, shumë shpejt, ata do të nënshkruajnë një vendim së bashku. Ka të ngjarë që të dy nënshkruesit e vendimit të jenë në të njëjtën kahje.

Dy njerëz që përbënin skajet e një dekade, ishin bërë fiks për njëri-tjetrin.

  • Pavarësisht se çfarë bën ti, unë do të martohem me ty! /GazetaLetrare.com