Nobelistët

Cenolli propozon tre emra për çmimin “Nobel”: Kadare, Boxhovi dhe Starova tri kandidatura cilësore

Shkrimtari Ismail Kadare ka vite që propozohet për çmimin “Nobel” për letërsi, madje shpesh ai është parë në rrethin e ngushtë dhe shanset për të fituar kanë qenë të mëdha, por deri më tani diçka e tillë nuk ka ndodhur. E dëshira e popullit shqiptar që Kadare të bëhet fitues i çmimit Nobel, vazhdojnë të jenë të mëdha.

Madje profesori, Erget Cenolli përveç Kadaresë ka propozuar edhe dy emra të rinjë të cilët sipas tij e meritojnë të jenë kandidatë për çmimin “Nobel”. Bëhet fjalë për shkrimtarin dhe historianin Jusuf Buxhovin dhe Luan Starova. Cenolli shprehet se ka ardhur koha që shqiptarët ta marrin këtë çmim dhe se këta tre emra janë cilësor dhe kështu do të jemi në gjendje të kandidojmë denjësisht për çmimin “Nobel”.

Postimi i plotë i Cenollit:

Përsëri dhe përsëri, për çmimin “Nobel”

E them për të shumtën herë se ka ardhur koha që shqiptarët ta marrin këtë çmim. Herët e kaluara kam proponuar që kandidat i dytë, përveç Kadaresë (tashmë kandidat i përjetshëm), të ishte zoti Moikom Zeqo, por meqë ndërroi jetë, atëherë vështrimi duhet drejtuar në të tjerë shkrimtarë shqiptarë. Midis tyre mund do të propozoja zotërinjtë Jusuf Buxhovi dhe Luan Starova, që jetojnë përkatësisht në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Të dy këta kanë vepra cilësore, disa prej të cilave janë përkthyer në frëngjisht, anglisht, gjermanisht, si edhe në disa prej gjuhëve ballkanike. Marrja pjesë në paraqitjen dhe mbrojtjen e këtyre kandidatëve duhet të jetë i plotë dhe aktiv prej Akademive të Shkencave të vendeve ku këta shkrimtarë jetojnë, punojnë dhe botojnë.
Si përfundim me tri kandidatura cilësore (Kadare, Buxhovi, Starova), do të jemi në gjendje të kandidojmë denjësisht për çmimin “Nobel”. /kultplus/