Prozë

”Diplomë për të ruajtur një të moshuar” – Gzime Azemi

Edhe pak orë do të agonte dhe unë isha ende zgjuar.

Ulur në mes të dhomës dhe po e shikoja diplomën e varur në mur. Ka kohë që rri e varur aty. Para syve mu shfaq ajo vajza e cila me frikë po shkonte në provimin pranues për në fakultet. Frikë e cila vazhdoi me ditë deri dolën rezultatet. Isha ndër të parat që isha pranuar dhe nga gëzimi po qaja. Do të kryeja fakultet, do bëhesha e zonja e vetës ashtu siç kam ëndërruar gjithmonë. Kaluan vitet aq shpejt dhe diplomova. Nuk them se isha një studente e dalluar por në mesin e të mirëve bëja pjesë. Qava përsëri kur diplomova e nuk e dija se do qaja edhe shumë herë tjera kur do më refuzonin për punë. Kjo copë letër që tashmë kishte filluar të pluhurosej po e caktonte të ardhmen time. Në fakt faj ka babai im që nuk e ka dikë të njohur që do të më punësonte, madje po të kishte një të tillë nuk do më nevojitej as kjo diplomë e as që do të lodhesha që t’i përfundoja ato katër vite studimi. Faj ka dhe nëna ime që gëzohej për sukseset e mija, suksese të cilat nuk po më dërgonin askund. Mbi të gjitha faj kam unë sepse besoja se do të kisha një të ardhme siç e kisha menduar gjithmonë. Besoja se puna ime do të vlerësohej dhe rezultati i saj nuk do të mbetej veq se një kujtim i hidhur.

U shtriva në shtrat dhe po tentoja të flija edhe pse e dija se pas pak do më zgjonte alarmi për në punë. Po punoj edhe pse jo në profesionin ku studiova pasi aty nuk më cilësuan kuadër e duhur. Më pranuan ta ruaja një të moshuar. Të paktën për këtë nuk ke nevojë për të njohur. Kam punuar edhe si arkëtare. Kam pasur eksperienca të ndryshme pune pa ma kërkuar fare diplomën sepse aty ku ma kërkuan nuk më dëshiruan.

Gzime Azemi /GazetaLetrare.com