Libër i riProzë

Edlira Allaraj: “Miksim ndjenjash”

Trazia e kësaj dite e mundoi shumë… Ishte ditë  sa e veçantë, aq edhe munduese për shpirtin e saj të thellë, agonik…

Çiltërsia e syve të saj reflektohej në bukurinë e një shpirti të zbehtë nga çastet revolucionare të jetës. Ndihej çuditshëm, si një uragan ndjenjash të papërsëritshme ndonjëherë. Vuante pafund nga mendimet jo të dlira që e bashkëshoqërinin në ato momente deri diku magjike, e deri diku mbytëse. Ndihej bosh sepse sipërfaqësia e detyronte të ndihej në atë mënyrë të vobektë. Çfarë dreqin ishte një moment që dukej sikur zgjaste njëmijë shekuj që nuk mbaronin kurrë…

Të kesh një jetë monotone do të thotë të zgjohesh çdo ditë me shpirtin e mbushur me boshllëk, vakuumi i së cilit pushton edhe botën që të rrethon thjesht fizikun e jo zemrën.

Dikur motivohej edhe nga persona negativë, të cilët i zhvillonin anën tjetër të monedhës së personalitetit të saj; ironia e sarkazma lidhen fort, por edhe zgjidhen në momentin që ti kthen faqen dhe zgjedh anën e mirë!

Tashmë motivimi i saj ishte e mirë pranverore e njerëzve që çelnin si lule freskuese dhe e butë, jo si trëndafil me gjemba shpues! Merrte shumë kënaqësi kur qëndronte vetëm, por në të njëjtën kohë edhe e dinte se kjo thjesht mbushte më tepër pikat e pesimizmit në mendjen e saj piktoreske; të një natyre gazmore tek-tuk, por edhe të një njeriu të ftohtë e pa zemër siç ndihej në momente të caktuara. Ftohtësi kjo e ardhur si rrjedhojë e faktit se kishte një miksim ndjenjash në kokën e saj, duke e bërë këtë të fundit të mos kuptonte rolin që kishte në jetën e atyre që e rrethonin. Të priste për diçka që s’kishte për të ardhur kurrë, nuk ishte optimizmi më i madh që ajo kishte, dhe kjo e bënte kokën e saj një labirinth akoma më të vështirë për t’ia gjetur zgjidhjen. Ndjenjat e miksuara që kishte e bënin që shpirti i saj të futej në një gjendje konfuzioni që zor se dilte më. Për të ishte edhe bekim, edhe mallkim në të njëjtën kohë që t’u futej gjërave aq thellë duke i analizuar në një mënyrë që zor se edhe ajo e kuptonte. Mendime të ndryshme të cilat analizonin fije për pé çdo gjë në jetën e saj, i jepnin asaj një ndjesi të çuditshme, e cila i krijonte dhe situata dramatike në cdo gjë që bënte. Ndryshimi i shpeshtë i humorit vinte si rrjedhojë e stërmendimeve që bluheshin brenda kokës së saj, dhe këto të fundit e çonin atë në një gjendje që as ajo vetë nuk arrinte t’a shpjegonte. Pa dyshim, ajo ishte një person unik i kësaj bote të rrejshme, e cila jepte kontributin e saj në një mënyrë apo tjetrën. Ajo ishte një miks personalitetesh të shumëllojshme, një eliksir ndjenjash të papërshkrueshme, një shpirt i lirë dhe njëkohesisht i cunguar nga njerëz qe nuk arrinin t’ia kuptonin botën, por kjo e bënte atë të veçantë.

(Fragment nga romani “E delire”)

Edlira Allaraj /GazetaLetrare.com