Art plus

Ekspozita ”Fara e kujtesës” hapet më 17 dhjetor në ambientet e BKK-së

Ekspozita  “Fara e kujtesës”, do të hapet më 17 dhjetor 2019, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Prishtinë, duke filluar nga ora 17:00, njofton OJQ ANP.

Sipas ANP-së, ekspozita “Fara e kujtesës” është një eksplorim reflektues i të kaluarës së dhunshme të luftës në Kosovë, i ndërmarrë nga qytetarët prej tërë Kosovës, të cilët gjatë këtij viti morën pjesë në ciklin e trajnimeve për “Ballafaqim me të kaluarën”, të organizuar nga OJQ Aksioni kundër dhunës dhe Ndërtimi i Paqes (ANP).
Punimet e paraqitura janë rezultat i punës së pjesëmarrësve, të cilët, bashkërisht, u përpoqën që nëpërmjet kujtimeve të tyre të dhimbshme të së kaluarës, njëherazi të arrijnë edhe një të ardhme të formësuar nga empatia dhe vizioni i përbashkët i paqes.
Duke përdorur mënyrat e shprehjes artistike, pjesëmarrësit e projektit kanë krijuar imazhe unike të kujtimeve të tyre, që e bëjnë të kuptueshëm konceptin “Ballafaqimi me të kaluarën” në një nivel shumë personal dhe frymëzues.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur prej datës 17 deri më 20 dhjetor 2019 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Prishtinë.
Ky projekt është duke u implementuar në partneritet me KURVE Wustrow nga Gjermania dhe përkrahet financiarisht nga Ministria Federale e Gjermanisë për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), thuhet në njoftimin zyrtar të OJQ ANP.

Burimi: OJQ ANP /GazetaLetrare.com

Linku për pjesëmarrje:
https://www.facebook.com/events/2686289781392785/?event_time_id=2686289794726117