Art plus

Filmat e Neo_School shfaqen sonte në Kino Armata në Prishtinë

Kino ARMATA ka kënaqësinë t’i shfaqë gjashtë filma të prodhuar gjatë Neo_School, shkollës joformale një-mujore për prodhimin e filmave të shkurtë dokumentarë.

Filmat do të shfaqen sonte më 4 nëntor, duke filluar nga ora 19:00 në Kino Armata.

Mes 14 shtator – 16 tetor, kandidatët e zgjedhur kishin mundësi të dëgjojnë ligjërata mbi aspektet e ndryshme të procesit të filmbërjes së dokumentarëve, prej produksionit, hulumtimit, zhvillimit të skenarit, regjisë, montazhit, audios, etj., nga liderët në fushën e filmit dhe hulumtimit. Pas punës intenzive teorike dhe zhvillimit të idesë për film, çdo pjesëmarrës ka prodhuar nga një film të shkurtër dokumentar. Ata u sfiduan personalisht dhe në grup me operimin e kamerave, montazhin e filmit, post-produksionin dhe aspektet tjera të procesit të filmbërjes.

Filmbërësit:
Vlera Azizi
Blend Bytyqi
Redon Kikaj
Auron Myftari
Valmira Rashiti
Nol Sahatçiu
Ligjëruesit:
Gazmend Bajri
Pëllumb Ballata
Eroll Bilibani
Ilir Hasanaj
Latif Hasolli
Liburn Jupolli
Bujar Kabashi
Samir Karahoda
Besa Luci
Leart Rama
Jeta Xharra
Krijimi i platformës së edukimit Neo_School është vazhdim i logjikshëm i punës dyvjeçare të Kino ARMATA në ndërtimin e bazës kreative për krijuesë, artistë, punëtorë kulturor, etj. Me ndihmën e Agjencionit Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Kino ARMATA është pajisur me kamera, audio pajisje, njësi montazhi, etj., që u mundësoi të gjithë pjesëmarrësve të Neo_School realizim teknik FALAS të filmit të tyre pa asnjë kërkesë shtesë.
Ligjëruesit e Neo_School ishin liderë në fushat e tyre të ekspertizës, që siguron se pjesëmarrësit kanë marrë udhëzime relevante për zhvillimin e ideve dhe bartjen e tyre në medium filmik.
Neo_School përkrahet nga Agjencioni Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Komuna e Prishtinës.

Kino Armata/GazetaLetrare.com