Vargje ditore

”Heshtje uragani” – Liza Pllana Maloku

Kur era godet fuqishëm, ti hesht,
N’mundsh me duru para stuhisë,
Qetëso me heshtje uraganin,
Anipse shpërthejnë vullkanet e brendësisë.

Ti bëhu det i qetë, që perlat n’thellësi i mbanë,
I paaritshëm me t’i vjedhë të mirat e tua,
Do lodhen e ngulfatën tu notu me t’arritë,
Po mos vrit mendjen, valët aty për ty janë.

Luaje orkestrën më t’mirë e jeho butësisht,
Edhe kur zëri yt është brohoritje për tjetrin,
Ti mos e ndal këngën, le të dëgjojnë,
Për dikë do jetë qetësim, e për tjerët shpërthim!

Në skenarin e jetës zemrën bëje pishtar,
Që ndriçon si protagonist kryesor i rrugës,
Mos e dëgjo atëherë kur vrullshëm përgjigjet,
Prit, ndieje atë në ëmbëlsinë e muzës…

Liza Pllana-Maloku /GazetaLetrare.com