Vargje ditore

”Hungërima nga Ferri” – Gerald Ramaj

Bukë! Bukë! Bukë!…
Tokat tona janë shkretuar,
Milingonat vjedhin kokrrat e fundit të grurit në fabrikën e miellit,
Bagëtitë skeletore rëmojnë mes mbetjeve spitalore…
Bukë allçie në mëngjezoret mbanë trotuareve të betonta,
Mish kufomash në mishteritë e qendrave tregtare,
Një pijanec ulëret në shëtitore:
“Shes zemrën time të kauçuktë”,
Vagonat e ndryshkur sjellin dhjamë nga portet detare,
Burrë e grua dëgjojnë këngë melankolike
nga radioja e tyre ilirike,
shtrirë mbi krevatin e thyer,
Një plakë e sëmurë rënkon në shtrat:
“Zot ç’më gjeti!? Venat e mia janë bllokuar”,
Makina e funeralit sjell në Pallatin e Jetës
mallkimin e Realitetit,
Ëndrrat avullojnë nga liqenet e ndenjura mendore
dhe formojnë re të zymta zhgënjimesh,
Shiu kthen mbrapsht lutjet njerëzore,
Balta mbulon kryqet e drunjta të shenjtorëve,
Mëkatarët bëjnë kurban kafshën e pafajësisë
në Malin e Shenjtë:
“Qofshin falë fajet tona,
Falur qoftë thika në qafën e dobësisë,
E falur edhe shpresa jonë mbi supet e të pashpresëve”;
Insektet përhapin sëmundje laboratorike
mbi trupin e zonjës veshur me lëkurë pantere,
Kapele moderne të stolisura me pendë zogjësh të zhdukur,
Poetët shkruajnë me kocka metalike,
Një vajzë kërkon në bodrum-shtëpinë e saj
pasqyrën për të parë fytyrën fëminore të mjerimit,
Klubet e natës mbajnë të mbishkruar në dyer:
“Këtu i shpëtojmë Rutinës”;
Kopshtet zoologjike janë tejmbushur me kastorë të plakur
Dhe turma njerëzish i vështrojnë përhumbshëm
nga diga e çeliktë
duke thithur pijet e tyre freskuese prej opiumi;
Pëllumbat rrëzojnë nga koka e përkujtimores së Krishtit hirin e uzinave,
Korbat shtrojnë foletë shkëmbore
me guaska breshkash të shkulura
nga gardhet e provincave të lindjes,
Dielli prehet në detin e batalltë të penëndimit
Shoqëruar nga kodra të mjegullta harrese,
Dhe fryn një erë,
Era e Hungërimave të Ferrit:
“Bukë! Bukë! Bukë!…
Jetët tona janë shkretuar;
Mendja; Fryma; Shpirti…

Bukë! Bukë! Bukë!…”

Gerald Ramaj /GazetaLetrare.com