Prozë

”I dashur baba” – Franc Kafka

I dashur baba!

Kohët e fundit rasti e solli të më pyesësh se përse kam frikë prej teje. Si zakonisht, s’kam ditur të përgjigjem, dhe kjo, pasi nga njëra anë, më kall frikën dhe nga ana tjetër, sepse, për ta gjetur arsyen e kësaj ndjesie do të më duhej të hyja në të thella, shumë më tepër se do të ma lejonte një letërkëmbim i thjeshtë. Duhet ta dish se, kur po të shkruaj, ndjehem i kapluar nga frika që më ke kallur dhe nga pasojat e saj! Nga ana tjetër, diapazoni i gjerë i temës qëndron shumë më lart se kujtesa dhe inteligjenca ime… Duke përmbledhur gjykimin tënd për mua, del që ti më akuzon për sjellje të këqija apo për veprime të padenja (ndoshta, me përjashtim të planit tim të fundit për t’u martuar), më akuzon për ftohtësi, indiferencë, mosmirënjohje dhe m’i përplas në fytyrë, sikur vetëm unë qenkam fajtori, sikur me një shkop magjik do të mundja të ndreqja gjithçka, ndërsa ti nuk paske kurrfarë faji, përveçse je sjellë me mua më mirë se ç’duhej…

Padyshim, nuk them se u bëra i tillë vetëm për shkakun tënd, do të ishte teprim i tejskajshëm. Ka shumë gjasa që edhe po të isha rritur plotësisht i çliruar nga ndikimi yt, për ty unë kurrë nuk do të isha në lartësinë e duhur. Jam pothuajse i sigurt se, sidoqoftë sërish do të isha shëndetligë, i lëkundur, i trazuar e plot ankthe…
Do të isha i lumtur të të kisha shok, shef, xhaxha apo gjysh madje (megjithëse dyshoj për këtë) edhe vjehërr. Ndërsa si baba ke qenë tepër i ashpër me mua… U rrita fëmijë frikacak, por edhe kokëfortë siç janë fëmijët. Padyshim, mamaja m’i plotësonte tekat, por nuk besoj se kam qenë i bezdisur, s’mund ta besoj që një fjalë e ngrohtë, një vështrim i përdëllyer, duke më marrë qetësisht për dorë, të mos e platitnin qënien time, dhe të arrije çka dëshiroje. Se ti, në thelb, je njeri babaxhan dhe i dhembshur (ato çka po them nuk bien në kundërshti, flas për përshtypjen që kisha krijuar për ty në vogëli), por jo të gjithë fëmijët janë aq këmbëngulës dhe të guximshëm që të rendin kaq gjatë pas dashurisë, derisa të gjejnë atë.

Fragment nga libri ”Letër babait” – Franc Kafka /Gazetaletrare.com