Vargje ditore

”Iku” – Visar Emërllahu

Pjatën e fshiu me kafshatën e fundit
Uria i kishte mbështjellur cipën e trurit
E mbante ngrohtë në gjirin e pangopësisë.
Valixhet po zvarriteshin në tokën e baltosur
Kryengritnin për të refuzuar harrimin
Dhimbjet palosi me kujdes,
e shpirti lakuriq ngrinte nga të ftohtit e zemrës.
Pak fjalë i jargaviteshin buzëve
Flokët i zgjateshin si litar ku kish lidhur ëndërrat
Mëria si një uragan i shkundte duke i përplasur në fytyrën time.
Lamtumira për mirësjellje s’ish gjë veç ledhatim femijëror,
që ikjes i shpejtonte hovin.
Ajo, ish e tëra ëndërra ime,
qenia saj labirinthi ku doja të përhumbesha perjetësisht.
Iku, ndërsa unë s’po kuptoja
se ikja qenka çmimi i dhimbjes që nuk e bleva kurrë!

Visar Emërllahu/GazetaLetrare.com