Art plusKritikë

Kur ikën mjeshtri çfarë bën dishepulli?: Manjola Brahaj-Halili

Nga postimet e disa miqve në fb mësova për ikjen jashtë Shqipërisë të profesorit, përkthyesit dhe shkrimtarit shqiptar që kam vlerësuar dhe vlerësoj më së shumti, Agron Tufës. Falë këtij njeriu unë kam e marrë seriozisht rrugën e shkrimit dhe të poezisë, vetëm falë mbështetjes dhe sigurisë që më kanë dhënë fjalët, kritikat dhe vlerësimet e tij unë kam ecur përpara, për t’u bërë kjo që jam sot.

Me krijimtarinë e tij të jashtëzakonshme dhe me kryeveprat e tij jam njohur kur kam qenë studente, për të mos u ndarë më asnjëherë prej tyre.

Ky shkrimtar i ka dhënë letërsisë shqipe shumë dhe shpresoj që të mos ndalet, pavarësisht faktit se ku do jetë, edhe pse letërsisë dhe kulturës shqipe do i shërbente shumë edhe fizikisht duke qenë në Shqipëri, siç edhe i ka shërbyer me aktivitete nga më të ndryshmet dhe më të bukurat.

Të them të drejtën u trishtova, u befasova dhe nuk po më besohet. Sepse do e shohim rrallë dhe nuk do e takojmë si dikur, sepse takimet dhe bisedat me të ishin kënaqësi dhe mësim për ne, që kishim fatin të ishim edhe studentët e tij. Por edhe sepse ai ishte një njeri që fatin dhe qenien e tij ia kishte përkushtuar vendit të tij, gjuhës dhe kulturës së tij. Nuk e kam menduar ndonjëherë të larguar prej asnjërës prej këtyre… shpresoj t’i jetë larguar vetëm fizikisht të parës e shpirtërisht asnjërës.

U trishtova edhe për vendin, për atë vend që ka degraduar aq keq, sa po i dëbon bijtë e vet më të mirë. Dhe ky degradim po ndodh falë mbizotërimit të bijve të këqinj, sepse ata po udhëheqin, ata kanë vrarë dje e sot po kërcënojnë inteligjencien e kombit ndaj populli shqiptar po e dëshmon edhe me këtë ikje të Agron Tufës se siç thoshte At Zef Pllumi “asht i mjerë ai popull që nuk arrin me zotnue bijtë e vet të këqinj”.

Gjithsesi unë uroj që të jetë mirë ai me gjithë familjen e tij të bukur. Shpresoj të gjejë qetësinë dhe rehatinë që nuk e gjeti dot në atdheun e vet, dhe të jetë edhe më frytdhënës në krijimtari, larg hienave dhe kërcënimeve që i përballoi i vetëm gjithë këto kohë.

Respekt për ty prof. Agron Tufa

Faleminderit për krijimtarinë.

Dishepulli vazhdon të të ndjekë nëpërmjet veprës. Faleminderit për gjithçka!

Manjola Brahaj-Halili /GazetaLetrare.com