Vargje ditore

LAOKONTI

ISMAIL KADARE

Si çdo gjë e tmerrshme është i thjeshtë sekreti,
Që brenda boshllëku i gjoksit tim mban.
Afroni, pra, kokat të dëgjoni të vërtetën,
Mua s’më mbytën gjarpërinjtë, por trojanët më vranë.

«Ju e dini se përpara Trojës aherë
Kali i Drunjtë, dhuratë e grekëve u shfaq.
Ky kalë në dy grupe i ndau trojanët:
Ta pranonin ose ta flaknin sakaq.

Pajtim me armikun, ulërinin tradhtarët,
Mjaft më me luftë, zjarre dhe helm.
Erdh koha që shpatat t’i kthejmë në parmenda,
Armiqtë në miq erdh koha t’i kthejmë

Në mbledhjen e gjatë ‘pro’ dhe ‘kundra’ kalit,
Unë ‘kundrat’ kryesova me tërbim.
Dhe juve ju kanë thënë se aherë hyjnitë
Gjarpërinjtë më dërguan si ndëshkim».

«Ç’përralla kalamajsh, ç’trillim për budallenjtë.
Unë gjarpërinjtë do t’i mbrapsja me një shkelm.
Po ç’t’i bëja fushatës së tradhtarëve kundër meje,
Shantazheve, letrave anonime plot helm.

«Ditë e natë e me javë polemika vazhdonte
Nga shtresat e mesme gjer lart në qeveri.
Ishte vjeshtë.
Nën qiellin e hirnosur me erë
Kali i drunjtë përjashta priste në shi»

«Në burg, me gotën e ujit, në mesnatë
Helmin më dhanë ata të pi,
Ata që ulërinin kundër dhunës dhe shpatës,
Që dinin të kafshonin tamam si gjarpërinj

Në mëngjes që pa gdhirë në breg të detit
Ma hodhën kufomën drejt mbi zhavorr.
Rapsodët aherë anembanë përhapën
Versionin fals të gjarpërinjve hyjnorë.

«Ky ishte mbarimi i polemikës për kalin,
Ju e dini me Trojën ç’ndodhi pastaj.
Tre mijë vjet rresht,
nga muzeu në muzera,
Unë hamalli i mermertë gënjeshtrën mbaj

«Vërtiteni,
Flisni për teatrin, për plazhet,
Për gjithfarë motorësh e gjithfarë qeverish,
Pa ju shkuar mendja se ai mund të shfaqet
Në një ditë të rëndomtë, një mëngjes me shi

Në pafshi ndonjë ditë të bëhem copëra;
Nga marazi, siç thonë, të plas, t’ia bëj ‘krak’,
Jo kujtimet e Trojës, as gjarpërinjtë monstra,
Por indiferenca juaj
Do të bëhet shkak».