Prozë

Lazer Stani: Koha për nuse

Vdekja është fundi, i shuan shpresat e kësaj jete. Për jetën tjetër, atë të pasosurën, nuk guxonte të mendonte, edhe pse besonte, lutej, festonte të gjitha festat, agjëronte kreshmët, pushonte të kremteve. Të mbaronte njëherë punë me këtë jetë, pastaj të jetë ç’të jetë, nëse vërtetë pas kësaj jete ka diçka tjetër. Fundja askush nuk qe kthyer nga ajo botë t’u dëshmonte të gjallëve për botën tjetër. Ajo kurrë nuk e pati kuptuar se përse jeta tjetër, e premtuara, u mbahej e fshehtë të gjallëve, përse kthimi i një dëshmitari të vetëm qe i pamundur. Kur mendja e saj e pafuqishme nuk gjente përgjigje, ngushëllohej me mendimin se “këto i di Ai që është mbi ne, ai që na ka krijuar” dhe se gruas kaq mend i dha Zoti. Nga ana tjetër, ajo qe e bindur se diçka ka, diçka qe mendja e saj e vogël nuk e rrok, po asaj vetë i qenë dhënë ca shenja, të ekzistencës së botës tjetër. U drodh se aty për aty iu ndërmend prifti. Krisht më fal, tha, mos ia numëro marrinat një gruaje fatkeqe me trurin e një berri. “Daiza Zaharia”, nga libri “Kohë për nuse” Lazer Stani/ GazetaLetrare.com