Prozë

Liridon Mulaj: “Mos harro të më kujtosh”

Para disa vitesh tentova të emigroja. Mamaja pagoi kursimet e një jete për të ma plotësuar kërkesën dhe një ditë të bukur pranvere, u nisa së bashku me një shoqërues drejt skajit të jugut, në qytetin kufitar. Udhëtuam gjashtë orë me furgon, dhe zumë vend në një hotel pension deri në mesnatë, orë kur do mësynim kufirin më këmbë. Nëpër errësirën e natës, ngjitëm kodrinën që ndante dy shtetet. Pas një ore ecje kaluam nëpër një fshat të humbur ku një qen i stërmadh stanesh desh na shqeu. Ngjitëm një shpatore mali të thepisur, rrugëtuam nëpër udhë të ngushta, nëpër rrugë të gjera të pashtruara ku shpesh vërenim shenjat e gomave të makinave të ushtrisë. Cigare dhe pije të hedhura përtokë në vendpushime të caktuara pa ndonjë marrëveshje, por thjesht si gjurmë të klandestinëve që ndiqnin hapat e njëri-tjetrit. Ndaluam nën një korije për të pushuar dhe hëngrëm bukën me djathë dhe hudhra që kishim marrë me vete. Shoqëruesi ndezi një cigare, ndërsa unë u mbështeta pas një lisi dhe kundrova kodrat matanë korijes. Nuk ndihej asnjë zhurmë gjallese, qetësi të tillë nuk kisha përjetuar kurrë. Era e freskët mbështillej pas flokëve të mia dhe unë vazhdoja të shikoja me habi atë çka më shfaqej përpara nga ai vend i huaj. Më ndodhte gjithmonë kur përjetoja ndjesi të reja dhe të largëta. Ku shpirti gjente paksa qetësi e trupi prehej nën pishat e njoma. Doja të jetoja aty të gjithë pjesën e mbetur të jetës (kjo dëshirë vinte si efekt i një jete të zhurmshme) në paqen e asaj rrafshine të huaj me erë dhe kodra, me vetmi dhe errësirë. I kredhur në kujtime, dëgjova zërin e shoqëruesit që më lajmëroi të vazhdonim pa zbardhur. Drita do na zbulonte dhe udhëtimi ynë do rrezikohej . Ecëm për rreth dy orë të tjera, deri sa në të gdhirë, arritëm në fushën e gjerë rrethuar me pyll pishash ku stacioni i fundit i këmbësorisë klandestine zhvishte lëkurën, për të veshur një tjetër lëkurë, atë të shpresës dhe mallit. Të vetëdijes dhe harresës. Rroba të hedhura nëpër të gjithë hapësirën e saj ngjanin si qilim i zymtë, i punuar me vrull, keqazi si një shtrojë e zvarritur në ikje e sipër . Pantollona të zinj të grisur tek gjunjtë e me këmbëza të ngrëna nga gurët e rrugës gjatë. Mbi to e hedhur një bluzë më krahë të shkurtër ngjyrë e verdhë si për të çdramatzuar atë “varr masiv’’ me rroba. Pak më tutje dy kepucë të grisura e me sholla të dala si gjuhëza dragonjsh. Të fshira nga dielli i fortë e mbuluar me pluhurin e braktisjes. Sytë më shkuan mbi degën e një lisi aty pranë, ku mbi të vareshin dy krahët e një këmishe ngjyrë rozë me lule bojëqielii e , me mbërtheçka metalike të ndryshkura. Ishte rrobë femrash, madje ngjante këmishë për mosha të reja dhe vetvetiu më lindi pyetja? Cfarë kerkonte një femër deri në këtë majë mali të huaj, kaq larg vëndit saj? Për një copë herë imagjinova sytë e saj, flokët e saj , ç’ngjyrë ishin vallë? Femër fatkeqe mendova,por dhe e guximshme, nga ato lloj femrash qe nuk pranojnë të nënshtrohen fatit të keq dhe nisen qorrazi me guxim në zemër drejt udhëve të botës në kërkim të së mirës. Sidoqoftë ishte femër, simbol i bukurisë në një vënd ku mbi paranoja të vrazhda ajo ndizej si flakë në terr, nga ku njerezit digjnin turpin e tyre ne ngrohje perverse duarsh. Në lajthitjet e moshës, ndoshta ajo kishte ndërmarrë rreziqe jo të zakonshme për vetë faktin se brishtësia ende mbizotëronte mbi pjekurinë. Ashtu qe shkrire pa e ditur, në furrat e mentaliteve djallëzore që mendja e frymorëve pillte, sa herë sytë i përballnin me krijesa të brishta e të bukura si ajo. Epshet e sëmura të frymorëve shuheshin e fikeshin në mësymje kolektive ndaj të bukurës. Kishte lindur e rritur në një vënd ku e bukura, ajo më hyjnorja ishte utopike dhe mallkimi i brezave duhet të vazhdonte si një zingjir me hallka të forta. E nëse kishte një detyrë që frymorët e kryenin me përpikmëri ishte sulmi dhe vrasja e të bukurës në të gjitha format e saj. Kështu lëkura e saj e butë, sytë e mëdhenj ngjyrë deti, flokët si copë reje të shtrira në diell (hamëndësime të mijat këto) që i ndërtonin kurorën e një fytyrë engjellore ishin tepër të papërshtatshme për hapësirën ku ajo jetonte. Ishin si një banor i parajsës zbritur padashur në ferr, apo si një lule e vogël e njomë, çelur në të çarën e kores së tokës. I falte asaj toke një aromë femërore që pastronte gjithë zymtësinë që frymorëve u sillej mbi kokë. Nuk ishte e denjë për aty sepse në mbretërinë e shpirtrave të burgosur në errësirë, ajo ndriçonte deri në verbim. Ku ndodhej vallë tani? A ja ka dalë të mbërrijë në destinacion? Mbase është martuar, ka lindur fëmijë dhe jeton e lumtur në jetën e saj të re dhe nuk mendon aspak për këtë rrugëtim dhe këmishën e saj varur mbi degë. Ose e mendon vagullt ndonjëherë dhe mundohet ta harrojë sa më shpejt, thjesht si kujtim i hidhur. Ky ishte vëndi im, vala e fatkeqësisë nuk kursente as gratë, madje as fëmijët. (Fragment nga romani në dorëshkrim me të njejtin titull) Liridon Mulaj /GazetaLetrare.com