Vargje ditore

Medina Pasoma: “Ka me ardh dita”

Kur krejt rrugët që kanë mbet zbrazët do të mbushen
Do të rindjehet aroma e gjakut të kulluar
Drejt qiejve nuk do të dërgohen më lutjet e bashkimit
Dhe në bebzat e syrit, do na dridhet dhimbja
Gjoksat do na hapen si krahë shpendi
Dhe nuk do flejmë e zgjohemi ankthshëm
Sytë s’do të bëhen rroje e pritjeve
Mbase atëherë, do i tubojmë forcat
Per ta kënduar këngën të gjithë njëzëri
Atë që mbetem pa e dëgjuar, se në çdo melodi na hapej një plagë
Do zhveshen shpirtat nga dallimet
Dhe një pëllumb do na fluturoj në shpirtat tanë
Në mes të qiellit të ringjalljes së madhe
Ditën kur rëndohet peshorja nga mizoria
Për lotët e Kosovës të ndriçume!

Medina Pasoma /GazetaLetrare.com