Art plus

Naimi, ‘Iliada’, grekët e Hâna e Gegnís

Nga: Besnik Hamiti

Në vitin 1896, Naim Frashëri kishte botuar në Bukuresht përkthimin në shqip që ia kishte bërë Këngës së Parë të “Iliadës” së Homerit. Në parathënie të librit, e cila prej pikëveshtrimit të sotëm duket mjaft simpatike, Naimi insiston që shqiptarët e kanë shpëtuar Evropën tri herë:

“Tri her’ e kanë shpëtuarë nga Asija Evropënë Shqipëtarëtë: Aqilehti mundi Troasitë, Aleksandr’i math Persanëtë, Skëndër-Beu Tyrqitë.”

Si atdhetar i madh, Naimi nuk kishte dyshime që edhe Akili e Aleksandri i Madh ishin shqiptarë posi Skënderbeu.

Për të shkuar më tej, Naimi konludon se grekët e vjetër kishin marrë ‘besënë’ (fjala është për besimin, religjionin e jo Besën) nga pellazgët (që pa dyshim, sipas tij, janë shqiptarët e vjetër).

Naimi, patriark i tosknishtes, emrin e perëndeshës Diana e sheh të derivuar nga emri në gegnisht për Hânën.

“Irodoti thotë se besënë grekërit’ e vjetërë e muarrë nga Pellasgëtë, të cilëtë janë si thamë Shqipëtarët’ e vjetërë dhe fjalët e besësë e të Perëndivet i kanë rrënjëtë në gjuhëtë shqip, si Theta, deti; Afroditi, Afërdita, se Afërdita ish Yll’i mëngjezit; Djana, Hânë gegënisht. Grekërit’e vjetërë në kohët t’Omirit s’quheshinë as grekë, as Elinë, po Dhaninj, Ahajinj etj…”