Vargje ditore

Ndue Ukaj: “Kur prishet paqja biblike”

Ndodh ndonjëherë mos t’ kuptohet kufiri mes natës e ditës
As mes t’mirës e t’keqes
As mes t’drejtës e t’padrejtës.
Ndodh ndonjëherë rrugët ngatërrohen
Dhe në pështjellimin e madh s’dallohen ngjyrat.
Krejt kjo ndodh sepse shuhen dritat n’ horizont.

Papritur, si në një skenë teatri hapet një perde.
Skena është bosh, e thatë, e ftohtë, e errët…
Sikur një jetë e fshehtë plot mistere
Dhe një i penduar që rrëfen vetveten
Pa fund e pa fillim.

I kredhur në kontekstin e rutinës
Pa liri, as me robëri.

Ndodh ndonjëherë njeriu s’ ka horizont
Dhe çdo gjë përmbyset
Sikur para një cunami që merr përpara gjithçka.

Ndodh ndonjëherë, njeriu s’ka lartësi as thellësi
Ndodh t’ kujtojë se s’ishte asgjë, s’ishte askund
S’ishte askush…
Në botën që fundoset në sytë e tij pa horizont.
Dhe thotë: gjithçka ekzistoi si në një ulërimë të frikshme.

Po! Ndodh ndonjëherë, njeriu dëshiron të ulet këmbëkryq
Në Pemën e Dijës
Të shohë si u prish paqja biblike, kur u dogj Edeni.

Ndue Ukaj /GazetaLetrare.com