Prozë

”Një ditë e shumëpritur” – Marsela Drapi

Korriku i atij viti ishte një nga korrikët më të dëshiruar e më kërkuar. Po pritej me padurim e plot emocione dhe gjallëri. Vera ishte stina e preferuar e të gjithëve. Rrezet e diellit që përplaseshin në lëkurë, aroma që lëshonin lulet kur ngroheshin nga dielli dhe aroma që lëshon parfumi në gjoksin e krahët e ngrohta, të jepnin një ndjenjë qetësie dhe paqeje.

Dita për këdo ka të qeshura, lodhje, trysni psikologjike, qetësi dhe dashuri. Dëgjojmë kudo të thuhet se nisja e mbarë është gjysma e punës. Të zgjohesh me dëshirë për jetën, me objektivin për të bërë mire ndaj njerëzve që na rrethojnë, dhe të zgjohesh me nevojën për të duruar e marrë dashuri, ky është një fillim i mbarë dite. Dhurimi i përqafimit familiarëve tanë është një ogur i mirë që të gjithë duhet t’ia mundësojmë vetes. Urimet e nënës janë ndër më të vyerat e të çmuarat. Duhet të bindim veten se një veprim i drejtë është një veprim në të cilin zemra, truri dhe shpirti bashkëveprojnë për të dhënë rezultat. Nëse njëra nga këto të tria është në kundërshtim, barazimi dhe reaksioni prishet. Dhe kur barazimi prishet do të thotë se diçka nuk shkon siç duhet dhe duhet të ndalojmë, derisa sërish të ketë një marrveshje mes tyre.

Në një farë mënyre duhet ta imponojmë veten të veprojmë me drejtësi, gjë e cila shpesh është një rrugë e mbushur me gjemba dhe kurthe. Por, nga ta dish?! Mbase këto gjemba e kurthe të ndihmojnë për të “ parashikuar” mendjen e individëve në një situatë të ngashme, në mënyrë që mos të gabosh në të ardhmen. Sigurisht që ka persona të cilët për arsye nga më të ndryshmet, kanë vetëm njërin prind, janë jetimë ose nën kujdestarinë e dikujt. Kjo nuk do të thotë që mospasja e prindërve të privon nga dhurimi i dashurisë apo të bërit veprime që të mbushin shpirtin. Çdo person jeta e përball me shumë njerëz të cilët i përkojnë tipeve, kulturave e edukimeve të ndryshme. Dikush përshtatet më shumë me ty dhe ti reciprokisht e do atë.

Familja është tërësia e njerëzve që rrjedhin nga një paraardhës i përbashkët dhe kanë mes tyre lidhje gjaku. Mospasja e tyre nuk të bën të veçuar. Ti je njësoj si të tjerët. Nuk ke dy prindër, por ke një numër të konsiderueshëm njerëzish që të duan dhe kanë e ke nevojë për ta. Nëse ndjen mungesën e një personi atëherë ky person është pjesë e familjes tënde. Jeta nuk të përball vetëm me njerëz që të duan, por dhe me njerëz që të urrejnë. Edhe ata në një farë mënyre të duan. Të mendojnë gjatë gjithë ditës, çdo gjë e lidhin me ty, të shohin shpesh në ëndërr. Të shohin ty si pjesë e ditës së tyre e nuk e imagjinojnë dot ditën pa ty. Por gjithsesi prej tyre duhet të ruhesh. Duhet të qëndrosh blinduar e ta mbash veten nën kontrol.

Zilia është rrjedhojë e një injorance të tepruar e të pazgjidhshme. E injoranca është virtyt i njerëzve të dobët të cilët kanë një vetëbesim dhe një ambicie tërësisht të shkretuar. Injoranca nuk vjen nga mospasja e arsimit të lartë. Duke mos ndjerë aspak keqardhje për këtë që po them, një pjesë dërmuese e të diplomuarve me arsim të lartë, gëzojnë cilësinë e të paditurit. Por, siç thash, padituria nuk vjen nga arsimi yt, por nga ajo që ti kërkon nga vetja. Kërsesa ndaj vetes duhet të jetë si në problemat matematikore ku duke ditur të dhënat, duhet të gjesh kufizën e panjohur për të plotësuar përgjigjen. Çdokush duhet ta ndërrojë jetën mbi një bazë kërkesash dhe dëshirash në mënyrë që të jetë më i organizuar për të arritur atë çka dëshiron.

Individi ështe një krijesë komplekse dhe i duhet të bashkëjetojë me një kompleksitet. Dita ka njëkohësisht mjaftueshëm dhe pak orë. Duhet të dimë se si ta shpenzojmë atë në mënyrë efikase dhe duhet të dimë se si ta bëjmë kohën të punojë për ne. Kjo arrihet me punë, dëshirë dhe mund. Fundja vetëm për të siguruar ushqimet e konsumit ditor, njeriu duhet të shkojë në disa dyqane e markete. Puna dhe mundi nuk të zhgënjejnë kurrë.

Ishte e mërkurë. Dita nisi gëzueshëm me cicërimat e zogjve, që dëgjoheshin përtej dritares së dhomës. Këtë ditë, Helen kishte kohë që e priste dhe në kokën e saj të organizuar, plani konkret ishte gati. Ç’do bënte kur të zgjohej, me cilën nga shoqet do fliste, veshja e gjithçka tjetër ishte e mirëmenduar….

Marsela Drapi/GazetaLetrare.com