Prozë

Nuk ka fund! – B. Rugova

……..
A fundin je duke e lypur? Po kërkon ta gjesh fundin?! Epo, ja të ta them unë: nuk ka! Nuk ka fund! Më beso kur ta them se e kam kërkuar edhe vetë! E kam provuar vetë! Kur kam qenë si ti! Ti kujton se qejf pas qejfi do të arrish ndonjë superqejf? Nuk ka gjë të tillë! Qejfi është prodhim i trurit për ta imituar shkurtimisht lumturinë dhe ambicia personale të shtyn ta ndjekësh.
Ekziston vetëm dëshira për të bërë më shumë se ajo që ekziston edhe kur ta kesh arritur këtë, sërisht dëshiron më shumë, më ndryshe dhe kjo nuk ka fund. Fundja, as vetë qejfi nuk ekziston. Ekziston vetëm dëshira e njeriut për të. Një mjet metafizik i injektuar në trurin tonë për ta neutralizuar athtësinë e realitetit… për të nxitur të tjera efekte.

Hiri i cigares do të zgjatej. Ai nuk do ta shkundte pa e përfunduar mendimin që e kishte sajuar në orët që më kishte pritur.

Nuk po them të mos bësh qejf. Vetëm po them: mos e kërko fundin, se nuk ka! Është ambicia e njeriut për të arritur më shumë, më mirë. Është biologji, biri im. Ky është thelbi i ekzistencës sonë. Prandaj, secili baba ka qejf që biri i tij të jetë më i mirë se ai. Secili brez do që të jetë i tejkaluar nga brezi që vjen. Është një zinxhir pa fund, biro!
Vetëdija jonë ndonjëherë provon të kundërvihet. Ky është realiteti ynë shoqëror që është artificial shpeshherë.
Prodhim i vetëdijes, pa konsultim të plotë me ndërdijen.
Në luftë me instinktet. Në këtë luftë, qejfi, biro, hyn në punë edhe për ta korruptuar trurin herë pas here që të heqësh dorë nga vlerat shoqërore. Natën e mirë!

Jam mësuar të mos i ndërhyj në fjalë. Po të ndërhyja, ndoshta do t’i kisha thënë: shyqyr që nuk ka fund!

Sot, në ditën që e tregoj këtë rrëfim, unë jam në moshën që ishte babai im kur më fliste për fundin. Sikur ai në moshën e tij, as unë nuk kam arritur ta gjej dot… E kam kërkuar fort.

Pjesë e shkëputur nga romani ”Rrëfimet e të dielave” – Bardh Rugova