Vargje ditore

”Oh, të vranë Kosovë” – Havzi Nela

Oh, të vranë Kosovë, në kasafortë të ndrynë
Të shqyen si korbat, me helme të mpinë
Të skuqën me gjak, ta mbytën lirinë,
Lulen ma të bukur ku e ke sot rininë?

Rininë tënde zojë, lulen sa ka çelë
Ndez e kish krahnorin për vepra burrënore
Fjalët, Liri, Luftë prej teje i kish vjelë
Dashuninë për nanën, për tokën arbënore!

U fale bekimin mos me e ditë me u shtrue
Për tokën shtëpinë, nxore flamurtarë,
Në beteja t’ashpra shqipojat ke lëshue,
Ranë për Republikën, për kombin shqiptar.

Oh, sa Kosovë sa, sa janë kush e di?
Sa në shesh u shtrinë, sa të tjerë plagosun,
Strehu nëpër male, mbi kokë kush u rri?
Vallë kush i mjekon? Plagët s’kanë të sosun!

Sa çika sa djem përcolle te vorri?
Sa janë nën tortura brenda në çeli?
Me kamxhik e hekur u derdh sot mizori,
Lulet pranverore me tanke i shkeli!

Mos i qaj Kosovë, mbahu heroinë,
Bijt’ e tu dragoj s’e kanë hak vajtimin,
Kudo fushat malet sot e shprehin zinë,
Mbarë kombi shqiptar u kërkon shpagimin.

M’u dogj zemra nanë, shpirti m’u helmue
N’ truell tim arbënor larg teje unë jam,
Të kisha krahë shpendi, n’ajër do t’isha lëshue
N’gjinin tand Kosovë të ngopun nuk kam!

Të vdisja bre, të vdisja, do ta kisha nder
Pranë bijve të tu plumbi t’më kish marr!
Për mue s’ka jetë nuk due pranverë,
Pranë bijve të tu desha sot një varr!

Vdekja për liri asht kapak florini
Asht lulja që s’vishket, nuk e thanë trishtimi,
Asht bajrak i gjallë, mizorë a e dini?
Për beteja t’reja asht trumpetë kushtrimi.

Havzi Nela (Qershor 1981) /GazetaLetrare.com