Art plus

Paga e kryetarit dhe sekretarëve të ASHAK-së i kushtojnë buxhetit të shtetit 180 mijë euro

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, gjatë vitit 2018 i ka kushtuarbuxhetit të Kosovës më shumë se 1.2 milion euro.
Mbi 800 mijë euro të këtij buxheti janë shpenzuar për rroga dhe mëditje. Gazeta Sinjali ka kërkuar qasje në dokumente publike për pagat dhe mëditjet e kryetarit dhe nënkryetarit, si dhe të gjithë sekretarëve të kësaj Akademie dhe rezulton se mbi 180 mijë janë shpenzuar gjatë vitit 2019 vetëm për paga.

Për shtesa funksionale për kryetarin dhe sekretarët e Akademisë janë shpenzuar afro 26 mijë euro.

Sipas të dhënave të cilat i ka siguruar Gazeta Sinjali, pagën më të lartë e ka nënkryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Jusuf Bajraktari, i cili gjatë vitit 2019 ka marrë rreth 22 mijë euro, ndërsa 500 euro më pak pagë vjetore ka marrë Eqrem Basha, sekretar i Seksionit të Gjuhës dhe Letërsisë, i cili gjatë vitit 2019, ka marrë pagë vjetore mbi 21 mijë euro.

Ish-kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Nexhat Daci gjatë vitit 2019 ka marrë pagë vjetore, rreth 21 mijë euro.

Sekretarja Shkencore, Myzafere Limani, duke përfshirë edhe shtesat funksionale ka marrë brenda vitit 2019 afro 20 mijë euro për funksionin e saj.

Ndërsa pagë me vlerë prej 19,556 euro në Akademinë e Shkencave dhe Arteve ka marrë Sekretarja e Seksionit të Shkencave të Shoqërore, Justina Pula, poashtu pagë të njëjtë kanë edhe Fetah Podvorica, Sekretar i Seksionit të Natyrës edhe Luan Mulliqi, Sekretar i Seksionit të Arteve.

Kryetari i tanishëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja ka marrë pagë vjetore me vlerë prej 19 mijë euro.

Pagën më të vogël vjetore në Akademinë e Shkencave e ka marrë Sekretarja e Akademisë, Lendita Pula me vlerë prej 19 mijë euro. Pula është e vetmja që nuk ka shtesa funksionale në këtë Akademi.

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka shpenzuar 388,098€ në vitin 2018 vetëm për mallra dhe shërbime. Pjesa më e madhe e shpenzimeve në këto kategori përfshijnë shpenzime operative si, udhëtimet zyrtare, shpenzimet e telefonisë mobile, shpenzimet për arsim dhe trajnim, shërbimet intelektuale dhe këshillëdhënëse, furnizimet për zyrë, sigurimi i ndërtesave, si dhe shpenzimet komunale.

Shpenzimet për paga dhe mëditje gjatë vitit 2018 ishin mbi 831 mijë euro. Numri i të punësuarve në ASHAK ishte 55, ndërsa numri aktual i të punësuarve në fund të vitit është 54 punonjës. /Gazeta Sinjali/