Vargje ditore

”Për gjyshen, nanën dhe mue” – Nurie Emrullai

(Evat dhe Havat)

U linda femën.
Më pagëzuen me emën,
Ngadalë hoxha t’u ma thanë ndë vesh.

Dhe aq.

Festë nuk u bâ për mue,
Veç uronin nji djalë (bekim) pas meje të vjen…

Pastaj,

ma vonë,

Filluen me m’tregue
Si duhet unë me qenë vajzë.

Si duhet sytë t’i mbaj…
Hapat si duhet me i bâ…
Dhe kryet si me e mbajtë…
Kur dikush âsht n’sy t’u t’fol.
Qésh e vogël atëherë,
Po duhej vajzë me qenë, thanë!

Pastaj,
ma vonë,

Më urdhnonin
Si duhet femën me u bâ,
Për sy të tjetrit,
Për nder të familjes,
E asgjë timen…

Pastaj, ma vonë,

Mue,
nanën,
mikeshat e mia,
Kanë me na varrosë
Njí metër ma thellë se tjerët

Veç se ishim gra…

Nurie Emrullai /GazetaLetrare.com