Aktualitet LetrarKritikë

Përse u ndie nevoja të kthehet fytyra drejt poezisë? – Mimoza Ahmeti

Poeti Laureat dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit

Poezia eshte nje fenomen kaq i perhapur ne vendin tonë. Shpjegime të ndryshme ka rreth këtij masiviteti të shtrirë në mosha dhe shtresa.

Disa mendojnë se poezia lidhet me aspiratën e shprehjes së lirë dhe të cfarëdolloj lirie. Disa mendojnë se poezia është një art i tejkaluar që nuk gjen më tërheqje immediate si dikur. Madje në fillimet e demoktacisë u bë e modës besdisja e padurueshme me pyetjen që u drejtonin gazetarët poetëve, “ A mendoni se ka vdekur poezia”? Kjo pyetje u bë sa bajate aq edhe nevrastenike derisa më në fund dhe vetë pyetja u harrua dhe u duk sikur modën e botimit e pushtoi romani social politik, historik, repotazhor, intrigues që shkonte jek e jek me politikën bashkëkohore që zevendësoi mediat.

Por këtë vit ndodhi edhe befasimi me çmimin Nobel të radhës. E fitoi poetja Amerikane, Louise Gluck, e cila edhe pse e botuar në Europë, nuk kishte tërhequr vemendje të gjere publike si tani. Kjo lëvizje në politikën e çmimeve nuk mund të ishte rastësore.

Përse u ndie nevoja të kthehet fytyra drejt poezisë?

Në vetvete poezia është një tokë imagjinare, një tokë qe ndoshta asnjëherë nuk do të provohet veçse si imagjinim, e megjithatë kaq e nevojshme për shpirtin. Ajo krijon një objekt me të cilin shpirti identiton edhe pa realitet, përputhet aty në realitetin e tij të padukshëm, shkaktohet, duke transcenduar përmes nervave dhe qiellit.

Qysh në kohën e Homerit, shekuj përpara Krishtit, njihej Muza si personalitet i pavarur. Kjo perëndeshë e frymëzimit, së cilës shpesh i kanë kënduar duke pranuar individualitetin e saj sublim: “Këndo, o Muzë, mërinë e Akil Pelidid…kështu edhe fillon Iliada, një nga librat më të vjetër të botës, që bashkë me Biblën ndertoi themelet e Europës klasike.
Në këtë kohë krize, kthimi i vështrimit drejt poezisë është një tërheqje vëmndjeje për këtë zhanër aspirues i cili gjithmonë i ka kënduar shpresës dhe njeriut fenomenal. Njeriut pa emër, ose atij me emër nëpër dramat e njeriut pa emër.

Ndryshe nga proza, poezia është një përcuese e gjuhës së pakontrolluar, e gjuhës së shtyrë nga ndjenja, nga vetmia, nga arratia drejt visesh mendore te reja që së pari shfaqen në gjuhë si zmadhim hapësire, nëpërmjet magjisë dhe fshehtësisë së metaforës, që thotë pa e thënë. Struktura të plota metaorike deri në nivele poezie dhe poeme, kanë aftësi ta transformojnë shpirtin, ta transferojnë atë në brigje të reja kuptimore dhe ndjesore, aty ku nuk shkel dot realiteti i përditshëm normative, duke e bërë poezinë një medicinë energjitike për shpirtin.

Në këtë hapësirë të sensibilizuar Shtëpia e Librit, Tiranë, reagon duke shpallur konkurimin për Poetin Laureat. Janë përfshirë disa nga emrat më të mirë të poezisë shqipe.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, që prej krijimit të saj ka bërë një punë intensive për të promovuar vepra, autorë, përkthime, botime, zëra të dëgjuar dhe më pak të dëgjuar, të letërsisë shqipe, brenda dhe jashtë kufinjve, për të përcjellë eko dhe rifreskim vlerash dhe gjuhe.
Tema abstrakte të fushës së filologjisë kanë zënë vend si dhe lexime poezish e tekstesh ngasëse e informuese.

Ky çmim në vetvete, i ofruar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit si dhe Ministria e Kulturës, përbën një pikë kthese në ndjeshmërinë ndaj artit poetik, i cili edhe pse është përballur disa herë me sfidën e egzistencës, prej racionalizmit triumfues, gjeti përsëri të shtrirë ballë inocensës së tij dhe sinqeritetit, dorën e shoqërisë, e cila kërkon ndihmën e poezisë, ndërsa kupton se nga kriza nuk mund të dilet pa zbutur shpirtërat e egërsuar nga filli i jetës materiale.

Poezia gjithmonë ka përgatitur botën për ndryshim. Ajo asnjëherë nuk ka marë shpërblimin, dhe as nuk e ka tentuar, pasi në egzistencën e saj ajo është imagjinare dhe ndër- identitare, mijë vjet dritë tej realitetit.

Burimi: Top Channel

Dr. Mimoza Ahmeti/GazetaLetrare.com