Vargje ditore

”Pusi i vjetër” – Arbër Malota

Me ujin e tij,
sa herë e shuaja etjen,dhe egon,
etjen me ujë – egon me pasqyrim,
Narcist i çmendur.

Rreth arkës së pusit ndalem,
ka kohë që më ushton gurgullima e ujit,
më thërret në pambarimin e tij,
në amshimin e freskisë, në lirinë e tij.

Te pusi i vjetër fillon e mbaron, e kaluara,
zëra të moçëm buçasin,
sikur të kenë qenë peng i fundit të tij,
Had i pamëshirëshëm.

Fundi është fillimi,
Në fundin e tij do ta gjej freskinë e fillimit, të zanafillës,
atëherë kur qemë zotër të Edenit,
pa u dëbuar në ferrin e vuajtjeve,
Fillimit mezi i gjendet fundi.

Lëshova kovën ngadalë,
lidhur me litarin që i shpëtoi sëpatë së ndryshkur nga gjaku,
kur kova preku syprinën e ujit, thellë,
thellë shpirti im iku,
iku në pambarimin e të kaluarës.

Arbër Malota/GazetaLetrare.com