Prozë

”Puthadori” – Tregim nga Xheni Shehaj

Sot u takova me N-në. Më tregoi për jetën e tij, arritjet, sukseset e njëpasnjëshme. E vështroja si buf dhe thosha me vete:

– N-ja që e kam patur për 8 vite në klasë, që nuk dinte të shkruante, që griste librat e i bënte kausha. N-ja të ketë arritur kaq suksese?! Por si?! Ndërkohë që mendoja N-ja po më fliste fiks për çastin kur karriera e tij në letërsi kish marrë vrull. Gjithçka që kishte bërë ishte se kishte puthur një dorë. Domethënë, jo tamam një, ishin disa në fakt, por me një kishte filluar.

Hapa sytë dhe e pyeta:

– Vetëm kaq???

N-ja nënqeshi me dinakëri.

– Dëgjo, më tha. E nisa me puthjen e një dore, e mbaj mend si sot, një dorë leshtake, me lesh të zi. Gishtat i kishte topçe e plot me unaza. Kur e putha për herë të parë m’u ngatërruan disa nga qimet e asaj dore nëpër gojë por nuk bëra zë. Kështu e kalova provën e parë. Pastaj m’u desh të puthja dhjetëra duar të tjera për të arritur këtu ku jam.

– Po kur fitove çmimin e parë sërish puthe ndonjë dorë?

– Haha, eh, mik i dashur, për atë çmim kam puthur 5 duar. Prej 5 vetash përbëhej komisioni. I mbaj mend si tani duart e tyre. Kryetari kish duar të shkurtra e bardhoshe. Nënkryetari i kishte të fryra. Anëtari i parë kish duar të holla si të ndonjë çupëline. Anëtari i dytë duar të mëdha e me njolla. Ndërsa i fundit në vend të duarve kishte putra ariu. Ha ha. Eh miku im! Pesë puthje duarsh dhashë brenda asaj dite. Në një moment më vinte për të vjellë. Mezi u përmbajta.

– Po pse nuk e le fare?

– Çmimi mik, çmimi. Më duhej ai çmim. Po dhe ata nuk dolën pa gjë. Vërtet unë desh nxora zorrët por ama mbi duart e tyre të pështira lashë pështymën time. U lëshova mbi duar pështymën e jargët e mia. Ndonjë ditë dhe ata do ndjejnë neveri, njësoj si unë kur të kujtojnë jargët e N-së mbi duart e tyre.

Xheni Shehaj /GazetaLetrare.com