KritikëLibër i ri

Recension për librin e Fadil Halimit “Ëndrra, shi dhe lule” – Xheladin Çitaku

Përshtypje nga leximi i librit “Ëndrra, shi dhe lule”

Sentencat ëndrrimtare gravohen në strukturën e një konvence të ripërtrirë brënda konceptimit individual, si rrjedhojë reflektuese e botës shpirtërore, ku vorbullohen elementet e parashtruara dhe të kultivuara, pastaj. Episodimi poetik i ndjeshmërisë së kësaj bote (shpirtërores) shtrohet në relievin e figurativitetit (kryesisht), në rendje kuptimore të figurëzuara (jo vetëm metaforikisht) të një sistemi stilistik, ndërtuar në sfondin e ndijimit dhe impulsimeve emotive, si pluskime shpirtërore. Mbi këtë bazë, autori operon me sistemet letrare dhe materien poetike të koncentruar në motivimet që e frymëzojnë. Ndërthurjet ëndërruese në formate të poetizuara ndërlidhen e ndërveprojnë në ravijëzime e dimensione plurale të shtjellimit, si ligjërim i gërshetimeve të ndërvarura të elementëve artistik dhe cimbisjeve ndjenjore. Prandaj infrastruktura e transmisionit të idesë ngarkohet nga vegimet ëndëruese, shkëndijimet dashurore dhe interferimin e kohës (motit, shiut), si refleksion simbolik. Këto, pa ndonjë ndarje strikte apo kahëzim brënda librit, por ndërndikuese në kompozicionin e njëra-tjetrës, përplotësuese të përmbajtësores dhe pjesë të tablosë së përgjithshme poetike. Brënda një titullëzimi defilojnë ëndrrat, vegimohet dashuria, pluskon imagjinata:

“Në qytetin e ëndrrave të frikshme

Të përcjellë trishtimi e hijet e gjalla

Gjysma ime, në imagjinatë, fluturon te ti

E gjysma jote, te unë

Qysh kurrë s`u bëmë një…”

Refleksiviteti flatron kontekstit të përthurjeve e përngjitjeve të prodhimtarisë ndërndijore e ndërndjenjore, të cilat akomodohen në sajimet e vargëzuara dhe shpërfaqin atë në formë e semantikë të përbër, nganjëherë jolehtësisht të depërtueshme. Këtë, autorit ia mundëson kombinatorika leksikore e pasur, spostimet gjuhësore dialekt-gjuhë letrare dhe frazeologjia e kultivuar dhe e përzgjedhur në konformitet me shpërfqjet tjera që ofron vargu i Fadil Halimit.

Po ta vrojtojmë formën e shtruarjes së bagazhit krijues, vështrimi do zë katër (4) përshkallëzime ekspozuese, të cilat ravijëzohen si kaskada motivesh, si diferencime frymëzimesh, por në një linjë përshkuese, e cila përbën atë transmetuesin organik të brendshëm. Plumbi dhe shiu do analogjizohen artistikisht në shprehjen e sintetizuar të ndjenjave dhe përjetimeve, në shënimin e kohës dhe në identifikimin e dashurive; prindore dhe atdhetare, rrjedhave dhe pasojave të kësaj (asaj) kohe, veç tjerash:

“Mos u frikëso vogëlush

Nga pikat e gjakut në shuplakë”

……………………………………

……………………………………

“Se vetmia ka të gjithë gishtat

Armiku si rrufe nuk kursen

As lulëkuqet e posaçela…”

“Ëndrrimtarët e fshehur” nën ombrellën, mbrojtur nga ajri i helmuar, paradojnë ëndrrash dhe shiut, të lagur nga veset, apo të palagur ndërgjegjesh së “idhnakëve”. Dhe, “shiu i mallkimit” troket në dritaret e shpirtit, zymtëson emocionet, lagë botën, por jo shpresat, jo ambiciet, jo kauzat e aspiruara. Vargu poetik ka kapacitetin të bartë rëndesa të tilla emocionale dhe t`i shtrojë ato në gjerësitë e thellësitë e artit, për t`i ofruar lexuesit një variant të përpunuar të perceptimit e ndijimit të realitetit, të kohës, të veprimeve e imagjinimeve.

Në observimet e mëtejshme të librit “Ëndrra, shi dhe lule” të Fadil Halimit, vështrimi shumëdimensional pahëzon mënyrën e veçantë të ligjërimit, figurativizmin adapt, ritmikën përmes intonimit dinamik në një takt harmonik të individualizuar.

Në këtë tablo poetike, duke kronologjizuar ndjeshmërinë, nuk shpërfillet aktualiteti, ditët tona, e sotmja. Kjo kap konkretësinë shpërfaqëse në ciklin e fundit, në ngujesën (jo vetëm fizike), në karantinën e imponuar, në karantinën ku vërdallisen ndjenjat, ku nxitet dhe shtytet një dialogim i dimensionuar shumëkahshëm me të dashurën, me shpirtin, me vendin (atdheun), me kujtimet e dëshirat. Të gjitha këto ambientohen brënda karantinës dhe e shpërthejnë atë, njëkohësisht. Sepse, mendimi nuk karantinohet dot, frymëzimi jo e jo. Prandaj shpërthimi vargëror merrë dhenë, mënjanon kordonet e situatës, shpërfillë tentim-hermetizmin e jetës dhe i jep frymë kohës, i jep gjallëri, por edhe evokon, udhëton në trenin e ëndrrave, në ëndrrat e llahtarshme, nëpër shi e plumba, si “një ëndërr e keqe apo histori e përsëritur”, nuk mungon edhe ndonjë injektim psimist, herë-herë:

“Lum miku,

A s`e sheh që na ka marrë lumi”

Në kalkulimet kritiko-vështruese e vlerësuese, mund të rafinohen pikëpamje e pikëvështrime të llojshme për librin e Fadil Halimit, mund të objektivohen mendime e ngjyrime, sipas shijes e percepcionit të receptorit. Sidoqoftë, libri “Ëndrra, shi dhe lule” është skicim ëndrrimtar i frymëzimit, është freskim pluskues i shpirtit të lexuesit, është aromë arti. Si e tillë, përbën një kornizim specifik të rezonimit poetik, të një rezonimi të gjërë e të pasur, që i ofrohet opinionit, ofron vazhdimësinë e një konceptimi individual të një krijuesi me un-in e tij origjinal. Përgëzime autorit. Suksese më tutje.

Podujevë, 29.10.2020, Xheladin Çitaku/GazetaLetrare.com