Art plus

Rrëfimet e Çabejt dhe Agollit në intervistat e hershme

Studiuesi i letërsisë Bashkim Kuçuku ka promovuar në sallën e “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave, librin “Uni krijues dhe vepra”. Nën siglën e Botimeve “Toena” ai solli 23 intervista të realizuara në rreth 40 vite, me personalitetet të kulturës në vend që nga Eqrem Çabej, Dritëro Agolli, Shaban Demiraj, Ismail Kadare, etj. Për Kuçukun, shkrimtarët dhe artistët, të mbështjellë me një tis magjie, si pasojë qoftë e ndikimit të madh të veprave të tyre, qoftë e fantazisë subjektive të adhuruesve, me anë të bisedës bëhen “tokësorë”, të afërt, më të kuptueshëm dhe gjithsesi, më të mundshëm për t’u familjarizuar, prekur, pse jo edhe për t’u barazuar me ta. “Në një tryezë me të, mund të pohojë personalitetin e vet, kur e përballon denjësisht, dhe, po ashtu, mund të zbehet, të ulet e të diskreditohet, nëse, është larg e poshtë kulturës së tij”, thotë studiuesi i letërsisë.

 


 

RRËFIMI i ÇABEJT
Burimet kryesore për studimin e fjalëve të gjuhës në zhvillimin e tyre historik janë, sikundër u tha, shkrimet letrare, sidomos ato më të vjetrat, edhe gjuha e gjallë me dialektet e saj. Të dyja këto burime japin dëshmi për karakterin e njësishëm të gjuhës dhe bashkë me të edhe të kulturës popullore. Ka forma fjalësh që janë të barabarta në ligjërimet e Kosovës dhe në Çamëri, kjo për arsyen e ditur në gjuhësi që në një truall gjuhësor të caktuar anët, skajet, ruajnë tipare më të lashta.
Ka forma fjalësh që janë të barabarta në ligjërimet e Kosovës dhe në Çamëri, kjo për arsyen e ditur në gjuhësi që në një truall gjuhësor të caktuar anët, skajet, ruajnë tipare më të lashta. Gjithashtu ka forma dhe kuptime fjalësh të dialekteve veriore e të autorëve të vjetër të Veriut që janë të ngjashme me ato që ndeshen në ligjërimet arbëreshe të Greqisë a të Italisë dhe te shkrimtarët e tyre. Këto të gjitha dëshmojnë për një njësi brenda ndryshimeve.

Shkrimtarët shqiptarë, duke nisur që me autorët e vjetër, e mbase dhe me të tjerë që mund të kenë vepruar përpara tyre, kanë marrë vazhdimisht fjalë nga gjuha popullore. Ata shpeshherë i kanë përpunuar ato, i kanë shtënë në përdorim në veprat e tyre dhe i kanë ngritur ndonjëherë në një sferë kuptimore më të lartë. Kjo veprimtari ka vijuar pa ndërprerje dhe më vonë, ndonëse me përmasa më të vogla, edhe në shekujt para shkrimtarëve të Rilindjes. Këta ndërkaq, si në Shqipëri – edhe më parë – në Itali, duke u mbështetur dhe në traditën e mëparme, e kanë vazhduar këtë rrugë me frymë të vetëdijshme e në mënyrë të thelluar. Këtë rrugë po ndjekin edhe shkrimtarët e sotëm, me veprat e tyre në poezi e në prozë. (“Drita”, 9 shtator 1979)

RRËFIMI I AGOLLIT
“Romani doli nga albumi për miqtë”, do shprehej shkrimtari Dritëro Agolli për romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Kur pyetej si lindi ideja, cilat kanë qenë problemet, tipat konkretë dhe ngjarjet që ju frymëzuan, ai thoshte se “Kam njohur shumë njerëz të ngjashëm me Zylon në mjediset e nëpunësve, të intelektualëve”. Sqarimi i Dritëro Agollit është si vijon: Po kishim edhe një në “Zëri i Popullit”, që e njihja mirë. Ishte shpirtmirë, nuk bënte keq, por ishte shumë vanitoz… Mbaja shënim bëmat e këtij tipi. Një ditë mendova që me to të bëja humor për rrethin e shokëve të mi, për të afërmit, siç mbajnë shënim pleqtë biografitë e tyre për t’ua lënë kujtim nipave që të mos harrojnë origjinën. I mbaja shënimet që të bëja një album humoristik për njerëzit e afërt për të qeshur dhe nuk mendoja për vepër letrare, aq më pak për ta botuar një ditë. Gruaja ime, kur më shihte më thoshte: “Ç’i do këto? Kujt i duhen? Pse merresh me gjëra të kota?”
Kisha shkruar rreth njëqind faqe, kur një ditë më vjen në shtëpi Niko Nikolla. Atëherë sa ishte bërë kryeredaktor i revistës “Hosteni”. Më kërkoi diçka për të botuar se “donte që t’i ndërronte faqen revistës”. Unë s’kisha ndonjë gjë për të dhe i tregova shënimet për të qeshur. Ai më tha: “Do t’i marr t’i botoj”. “Jo, i thashë, nuk i kam për t’i botuar”. Por ai i mori dhe filloi t’i botojë. Kështu hyra në valle dhe u detyrova ta shkruaja romanin. Bile, qëlloi atëherë që vajta në Kosovë dhe isha i detyruar të punoja. Shpesh mendoja: “Po sikur të sëmurem, ç’do të bëhet me Zylon”? Për fat nuk u sëmura. Po, një ditë, papritur më lajmëruan nga Ministria e Jashtme se do të shkoja me një delegacion në Kongo. “Po Zylos, mendova, si do t’i bëhet? Ai vazhdon të botohet në Hosteni, me shënimin poshtë: “vijon në numrin e ardhshëm!”. Unë kam material vetëm për tre-katër numra! Do ta vazhdoj në Kongo!” Dhe kështu nja dy-tre kapituj i shkrova në Kongo. Ja, kështu vazhdonte të botohej numër pas numri dhe unë shkruaja për të mos më gjetur pa gjë në dorë shënimi: “vijon në …”. Tani tek e kujtoj këtë peripeci me shokun Zylo më vjen për të qeshur. Edhe historia e të shkruarit është humor më vete.

Pasi u botua në “Hosteni” e mora dhe punova mbi të, në fletët e revistës sikur të isha korrektor. Ato fletë i kam ruajtur ashtu siç janë, të ripunuara. Dhe dua të them se po të mos kishte dalë në revistë zor se do ta nxirrnin si libër, pasi e dimë që redaktorët kanë koncepte skematike dhe burokratike. Kur vajta në Shtëpinë Botuese me librin, si dëshmi për t’i bindur, me vete kisha marrë edhe revistën, sepse kisha frikë se mos nuk ma botonin. Sa doli romani pati reagime të menjëhershme. Disa e pëlqyen, disa nuk e pëlqyen, kurse disa të tjerë e kundërshtuan. Pati reagime sidomos në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës. E pritën me këmbët e para sidomos ata që në shumë veçori të Zylos gjenin vetveten. E lexoi edhe Mehmet Shehu. Ai ishte operuar atëherë në Francë dhe kishte kërkuar t’i dërgonin numrat e “Hostenit”. Kur ra rasti të më takojë më tha: “Ma ke bërë administratën përshesh!”. – Jo i thashë. Unë kritikoj. U çudita që rinia e pëlqeu menjëherë. Edhe tani e pëlqen dhe e lexon shumë. Kur doli romani 25 mijë kopje, thashë me vete se do të mbetej librarive, por u zhduk menjëherë. (“Drita”, 23 nëntor, 1997).