Kritikë

”Sekuenca fabulare të përshndërruara në roman” – Sadik Krasniqi

Albina Idrizi “Përsëri mars“ botoi SHB “Buzuku“, Prishtinë 2019

Duke njohur Albina Idrizin, si një ndër poetet ndër më mirat në aktualitetin e letrave shqipe, përmes artit të poezisë, por e shquar edhe në prozë, natyrisht lexuesi do jetë kurioz dhe me kurajo do i qaset veprës më te re të saj. Dhe ky lexues dhe recipient do të befasohet për të mirë, nga se romani i saj i ri “Përsëri mars“ do shquhet me poetikë të vecantë, si prosede, fabularitet, personazh, dialog, imazh, gjendje e ngjarje, dramacitet e figurativitet, gjithë këto të shprehura gjuhësisht bukur dhe me një stil të lartë. Krejt këtë kreacion artistik, Albina Idrizi e arrin pëmes transcendencës mbi palimpsestin e imagjinatës së saj të thellë.

Në romanin “Përsëri mars“ ngërthehen motive e ide, përmes një realiteti e irealiteti, përmes imazheve e mirazheve, ëndrrave e vegimeve, përvuatjeve dhe shpresave, për të ardhur deri te premisa sa logjike aq edhe absurde. Disa elemente që posedon roamani, çojnë kah prirja e autores drejt posmodernes,si fiksioni, absurdja, metamorfoza, vegimi, ironia e intertekstualiteti (kur them intertekstualiteti, kam parasysh rubairën e Khajamit si dhe sentencën e Anias Nin që vë autorja si paratekst e motocitat të romanit.) Duke qenë se romani është një ndërtim episodik ngjarjesh mjaft koncize, këto elemente të formës se posmodernes vetëm se preken.

Dy kryetemat e përhershme të letërsisë tanatosi e erosi, në këtë roman ngjizen në referencë si ide e menduar andaj vepra është një fiksion i mirëfilltë që zhvillohet përmes mininarracionit. Përmbajtësorja e romanit si temë, është aktualiteti i pasluftës që rrëfehet përmes personazheve dhe raporteve në mes tyre. Lufta dhe paslufta, tashmë janë bërë tema të shumë veprave letrare, andaj sot kemi disa romane me një referencë të ngjashme për të njëjtën temë siç janë “Kryeqyteti i lakuriqëve“ i Arif Molliqit, “Gosti në natën e parë të vjeshtës “ i Gëzim Aliut, “Shtatë udhë“ i Rrahman Paçarizit etj. Por romanin “Përsëri mars„ e dallon nga siromanet e tjera, fiksioni si ide dhe absurdja si synim. Përderisa përgjithësisht te romanet tjera trajtohen rrethanat e pasluftës me degradime, devalvime, degjenerime, manipulime për të arritur deri te e mira materiale, gjegjësisht te kapitali, te ky roman ideale është diç tejet absurde, përpjekja për të pasur varrin më të mirë dhe më madhështor! Njerëzit fiksohen në këtë ideal, sa që vetëvarrosen si Fata dhe bëjnë vetëvrasje si Agimi për t´i zënë varrin kryeparit të qytezës. E gjithë këtë makabër alogjik autorja e rrëfen përmes një ironie aq fine saqë të befason.

Romani ka një koleksion sekuencash fabulare, të cilat mund të qëndrojnë edhe si tregime në vete por që harmonizohen bukur në rrjedhën e skenarit. Këto sekuenca ngjarjesh, tregohen përmes peronazheve dhe botës së tyre të brendshme, të cilat janë histori më vete. Gëzimi perzonazhi kryesor, ështe një djalosh i rritur në dyer të huaja, me një lëmsh në fyt dhe një dorë rreth qafe që ia zë frymën, siç shprehet metaforikisht autorja e librit, që ia bënte jetën vrer duke i përmendur orë e çast të “mirat“ që i kishin bërë Birbos. Ishte kjo dora e Agimit, kryeparit të qytetit. Gëzimin vuajtja e kishte fisnikëruar, bërë një djalosh me shpirt të mirë. Mirësia dhe çiltërsia e tij kishte arritur ta ndihmojnë edhe Erën, vogëlushën e sëmurë për vdekje, që ishte dashuruar në fluturat që babai pikturonte në varrin e saj. Mjerimi i varfërisë në ambientin ku dergjej vogëlushja, tregohet me një mjeshtëri hygojane si tek romani “Të mjerët“.

2. Ndërsa skena e plotësimit të dëshirës së Erës për t’i parë fluturat mbi varrin e hapur të saj, rrëfehet aq ndjeshëm dhe me ngjyra nostalgjike saqë të përkujton filmin italian “Ultima neve di primavera“ ku babai (rol ky i lujtur mrekullueshëm nga Bekim Fehmiu) i plotëson dëshirën e fundit djalit duke çuar tek lodrat e qytetit e që vdes në përktheljen e tij. Por këtu, shpirti i bardhë i autores së këtij romani, e shëron Erën e dashuruar në fluturat e skalitura mbi mermerin e varrit të saj . Thamë më lart se në këtë vepër hasim shpesh absurde që e bëjnë këtë vepër një rrëfim më të veçantë siç është edhe vetëvarrosja e Fates nënës së Lidës duke helmuar veten me medikamente vdekjeprurëse. Situata të tilla të përshkruara bukur dhe me shume ironi kemi sidomos gjatë përshkrimit të formave të varreve që ndërtoheshin përditë sipas dëshirave të paplotësuara në jetë. Andaj kishim varre në formë kitareje, në forme sirene, në formë të zogjve, në formë tulipani, në formë libri, në formë mauzoleumeve, tempujve e formave më të çuditshme. Në një farë mënyre, secili qytetarë i pasur i kësaj qyteze ishte një “keops“ për ta ndërtuar piramidën e vet prej varri në krastën e tokës së terur e që ishte pronë e njeriut dikur me nofkën përçmuese “Birbo”.

Natyrisht përpos këtyre gjërave absurde që tregohen përmes ironisë në romanin “Pësëri mars“ gjejmë plot situata të natyrshme dhe reale, gjejmë dashuri, bujari, mirësi. Madje personazhet, sikur arrijnë në një katarsis shpirtëror. Kjo sigurisht ndodh nga etika e autores që ka të mirën si synim. Romani i Albina Idrizit, tematikën e vet e trajton përmes miminarracionit, në të cilin ka intensitet ngjarjesh, situatash, përshkrimesh, gjendjesh, emocionesh, figurash, saqë ky intensitet të imponon një lexim gjithsesi të vëmendshëm dhe përjetues. Romani mbaron me një Happy end të dashurisë mes Gëzimit dhe Lidës, një dashuri ideale të realizuar përmes një realiteti dhe vizioni. Këtë prezentim të këtij librit, natyrisht të shkurtër dhe jo pa qëllim në këtë formë, duke i prekur vetëm disa pika pa ndonje lidhshmëri, e bëra më tepër për të zgjuar kureshtjen e të pranishmëve këtu dhe lexuesve e adhuruesve të autores, që ta kenë e ta lexojnë këtë roman, që të ofron një kënaqësi të vërtetë estetike, siç ofrojnë romanet e shkruara bukur dhe me një temë interesante.

Në fund do e kisha përfunduar këtë prezantim me një dialog të dy kryepersonazheve: – Je pyetur ndonjëherë, pse qielli duket gjithmonë i bukur, nuk është asnjëherë njësoj, por gjithmonë magjik, por pak më ndryshe pse librat janë gjithmonë të bukur nuk janë asnjëherë njësoj, por gjithmonë magjik siç është edhe ky libër. Andaj të falenderojmë e nderuara znj. Albina që e sollët në mes nesh, në këtë panair të librit, në këtë ambient të bukur dhe solemn.
Shëndet dhe shumë libra të tjerë Albina!

SADIK KRASNIQI, Frankfurt, 19 tetor 2019 /GazetaLetrare.com