Prozë

”Vetëm e çmendur nuk jam” – Gzime Azemi

“Mos e kqyr në sy se të bërtet. Mos i shko afër e largohu prej saj. Është e sëmurë e nuk e di se çfarë bënë” – jam rritur duke i dëgjuar këto fjalë. I tërë fshati më njeh. Më njeh si ajo “e smuta” ajo e cila bërtet edhe është e rrezikshme. Në shkollë nuk kam shkuar sepse nuk kam qenë si të gjithë e nxënësit frikësoheshin nga unë. Drejtori u kishte thënë prindërve të mi se ekzistojnë shkolla të veçanta për mua dhe kishte kërkuar në emër të prindërve tjerë të mos shkoja në shkollë dhe si gjithmonë shumica fiton andaj mbeta në shtëpi. Mësuesi i fshatit më ka mësuar në shtëpi dhe ai është i vetmi që nuk është frikësuar nga unë.

Familja më kanë pasur tek mjekët madje edhe tek hoxha por nuk kanë gjetur një diagnozë por e çmendur siç më quajnë nuk jam jo. Madje edhe në qytet kur dilja njerëzit vetëm më shikonin e vraponin nga frika kurse unë vazhdoja rrugën time. Disa më ngacmonin me fjalë të ndryshme e ndonjëherë në shenjë revolte i frikësoja duke i ndjekur, tek e fundit të çmendur më quanin. Rreth çmendurisë sime kam dëgjuar histori për vete të cilat nuk i dija e qeshja kur i dëgjoja . Njëra histori thoshte se kam mësuar shumë e jam çmendur andaj sillem rrugëve, tjetra ishte se kam tentuar të vetëvritem kam dështuar dhe kam përfunduar rrugëve, dikush se jam dashuruar aq shumë e jam thyer nga ajo dashuri e tashmë e njëjta dashuri më ka sjellur në këtë situatë. Ju thashë që as mjekët e fshatit e as hoxha nuk kishin ditur se çfarë kam kurse ata që më së paku më njihnin më caktonin diagnoza. Jo që mërzitem për fjalët e tyre por është ironi e jetës se si mund të gjykojnë pa të njohur fare. Veq se kam disa ngecje nuk më bëjnë më ndryshe se të tjerët e aq më pak të rrezikshme.

Tërë këto vite jam gjykuar e gjykuar nga të gjithë. Në këto rrugë unë kam takuar personalitete të mija ndër më të ndryshmet por asnjëherë nuk takova dikë që më ofron përkrahje përpos mësuesit të fshatit. Askush asnjëherë nuk ka tentuar të afrohet por të gjithë më janë shmangur edhe pse nuk kanë dëgjuar që kam vrarë dikë. Të paktën të kisha vrarë dikë do të isha në burg dhe do të kishin një arsye. Ndoshta dukja ime i frikëson. Flokët e shprishura, një e prerë e faqes që e kam nga fëmijëria kur u rrëzova duke ikur nga qeni i cili i ruan delet afër shtëpisë sime, sytë e skuqur, veshja jo e zakonshme pasi veshi këto lecka që i gjej ose ose i frikëson e qeshura ime. Shpesh qeshi me veten dhe mendimet që i mendoj, edhe po flas me veten sepse nuk kam me kë të shprehem, edhe qaj e bërtas. Të gjithë bërtasin por askush nuk i bërtet vetes si unë. Unë i bërtas vetes sepse nuk kam kujt. Unë nervozohem me veten time dhe mendimet e mija. Unë veten time e kam armiken më të ashpër dhe miken më të mirë dhe është e vetmja e cila e di se nuk jam e çmendur.

Në fund të fundit vetëm vetja ime më mjafton.

Gzime Azemi /GazetaLetrare.com