Art plus

”Vrisni vrasësit jo dashurinë!” – Esmeralda Hakaj

(Në emër të të gjitha vajzave të vrara për këtë “krim makabër dhe të turpshëm”.)

Nëse dashuria është mëkat atëherë më lini të mëkatoj!
Nëse doni të më kryqëzoni ja ku më keni! Unë nuk jam aq e fortë sa ju. Ose ndoshta duhet të jem më e guximshme se të gjithë ju që pranoj gjëra që ju i përjetoni duke i fshehur dhe zgjidhni të gjykoni. Kështu mbulohen mëkatet e tua. Por kush është ai njëri pa mëkate të hedhi gurin i pari – tha Krishti.
Kam rënë në dashuri, ashtu si unë dhe një pjesë jo e vogël e femrave, me një burrë që më jep parajsën dhe ferrin. Është burri i asaj tjetrës. Nuk është vetëm i imi. Ia thashë vetes në errësirë si flet prifti me mëkatarin, por vetja nuk më dëgjoi. E di që është e gabuar, por vazhdon.Fle gjumë me idenë se ai që nga nesër do jetë një kujtim i së shkuarës dhe në mëngjes e kthej në të tashmen time. Me thonj madje.

Dashuria për burrin e ndaluar më ka bërë delen e zezë të shtëpisë, të shoqërisë. Sytë e tyre janë gjykues, të ashpër, si gjykatës të ftohtë. Nuk është e lehtë të pranosh “krime” të tilla. Ka nga ata që duan të më hapin sytë, ka nga ata që ndjejnë një gëzim sepse une do masakrohem nga turma, ka dhe nga ata si unë që më kuptojnë në heshtje.
“Mëkate të tilla duke mos qënë të vogla, për shoqërinë tonë të “kulluar”, shpesh herë më bënë dhe mua palë me ata që më gjykojnë. Logjikisht kanë të drejtë. Mbi te gjitha kur flitet për raste të tjera dhe jo për mua. E dinë ata ç’forcë ka dashuria?Por pse duhet të jemi këta dhe në vitet e zhvillimit? Dashuria është mirësi. Dashuria nuk bën keq. Aftësia më e madhe e njeriut është të di të dashurojë. Se kë, është pjesa më e parëndësishme. Unë nuk i përkas askujt, as ai, as ju. Ne zgjedhim. Zgjedhjet që bëjmë duhet të nisen nga dashuria dhe mirësia.

Kush jemi ne të gjykojmë? Shikoj vajza që i marin vetes jetën për këtë krim, prindër që i marin jetën vajzave për këtë turp, dhe mbi të gjitha mentalitetin e moçëm që kemi të ngulitur në tru aq sa ne gjykojmë dhe veten.
Lërini njerëzit të dashurojnë! Dashuria është e bukur. Nëse ju vrisni në emër të dashurisë, atëherë jeni vërtet vrasës. Nëse e ngushëlloni veten se ajo nuk meritonte të jetonte se dashuroi, atëherë jeni vërtet vrasës. Ajo femër mund të jem unë, mund të jetë motra, shoqja juaj, kushërira juaj. Dashuria nuk zgjedh, dashuria të bënë të ndjesh. Vrisni vrasësit jo dashurinë.

Esmeralda Hakaj/GazetaLetrare.com